E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ping Pong Spektër” hap rrugën

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, 24 orë para dhënies së premierës së shfaqjes së trupës së baletit “Ping Pong Spektër”, drejtori i baletit Ahmet Brahimaj, koreografi Artan Ibërshimi dhe balerinët e trupës së Kosovës, mbajtën një konferencë për media.

Sipas drejtorit të baletit Ahmet Brahimaj, trupa që ai përfaqëson kanë bërë një punë të madhe dhe të palodhshme, gjatë një muaji e gjysmë, për ta finalizuar këtë shfaqje. ““Kemi punuar pa pushim, dhe unë si udhëheqës jam i lumtur me punën që ka bërë koreografi Ibërshimaj por edhe me punën e balerinëve të Kosovës”, tha Brahimaj.

Ibrahimaj pohoi se ndihej mirë që kjo shfaqje po hap sezonin e shfaqjes së trupës së baletit për vitin 2010. “Shpresoj që kjo shfaqje do të jetë në vazhdën e shfaqjeve tjera, për këtë vit”, tha Brahimaj.

Koreografi Artan Ibërshimi, për të dytën herë është bashkëpunëtor i trupës së baletit të Kosovës, gjatë 2009-ës ishte në shfaqjen “Rapsodi mbi temat e Paganinit”, ndërsa për këtë vit jo pak ndjehet mirë për punën që është bërë. “Besojmë se kemi bërë një punë të sinqertë artistike, kemi dhënë më të mirën tonë, secili ka bërë një hap përpara në anën teknike e artistike. Dhe shpresoj që kjo të mirëpritet prej publikut”, tha Ibërshimaj.

Sipas Ibërshimaj, shfaqja “Ping Pong Spektër” është një vepër koreografike e cila mbështetet në jetën e përditshme të njeriut dhe marrëdhëniet e tij me vetveten dhe shoqërinë.

“Shtjellimi i përmbajtjes së saj ka të bëjë me trajtimin e fenomeneve dhe dukurive të ndryshme si raportet e individit me shoqërinë, presioni i ushtruar ndaj personalitetit dhe lirisë individuale, thashethemet, nevojshmëria e komunikimit të sinqertë në qift, mllefi ndaj varfërisë, tendenca e njeriut për të ecur përpara dhe pengesa që ai has vazhdimisht etj, dhe i gjithë ky spektër tematik është vendosur dhe trajtuar skenikisht përmes një simbolike të caktuar që i përngjan lojës së ping-pongut”, tha Ibërshimaj.

Në shfaqjen “Ping Pong Spektër” do të luajnë kjo trupë: Sinan Kajtazi, Behije Murtezi, Kreshnik Musolli, Luljeta Ademi, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Marigona Hoxha, Muhamet Bikliqi, Liridon Mziu, Aulona Nuhiu, Vlora Ahmeti, Abetare Hyseni, Vlora Prizëreni, Nora Gashi.

Shfaqja “Ping Pong Spektër” do të jetë premierë të mërkurën në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa të enjten jepet repriza e parë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›