Pinjollët e Bllokut s’po munden të jetojnë dot në një shoqëri demokratike
Me organizime masone e me rikthimin e krimit si mjet për të ardhur në pushtet, fëmijët e bllokmenëve po kërkojnë t’i imponohen sistemit demokratik, që të afrojnë ëndrrën për t’iu kthyer Bllokut, si kastë e përzgjedhur për të qeverisur.
Dështon arratisja e Besnik Dabullës, ndalet nga policia, në tentativë për t’u larguar nga spitali
Duket se s’është e mundur që jetesa e pinjollëve të Bllokut të jetë kompatibël me demokracinë dhe ekonominë e tregut. Nipat e Enverit (e të Ramizit së bashku), të Adil Çarçanit dhe të tjerët që s’po i përfshijmë në këtë numërim, s’jetojnë dot kokulur e sipas rregullave të demokracisë. Ata getoizohen së bashku, duke u përpjekur të mbajnë në këmbë kastën e komunistëve të brezit të dytë, si një tentativë për të mos e përzier atë me shqiptarët, por për ta lënë të paprekur e të destinuar që t’i qeverisë këta të fundit.
Kjo është një përzgjedhje me vullnet, është një sjellje mirëfilli retrograde dhe që synon të përdorë krimin për të mbajtur në këmbë këtë ëndërr, ëndrrën për ta ringritur Bllokun, si një kastë qeveritarësh që s’përzihen dot me popullin. Është ëndrra virtuale për të ringritur një “maçu piçu”, një mjedis të shenjtë, ku priftërinjtë e bolshevizmës do të bëjnë biznese, do të fitojnë e do të vrasin (nëse munden) këdo që do u profanojë Bllokun e të parëve.
Përdorimi i armëve dhe i krimit si mekanizëm për të përshpejtuar ndërtimin e “maçu piçu”-t të bllokmenëve të rinj është një metodë recidiviste me të cilën ka rrezik se do të duhet të përballemi sërish, megjithatë për momentin, do të duhet të qetësohemi me faktin se kjo tentativë po degjenerohet në një karikaturë të marrëdhënieve mafioze, të cilat si rregull përfundojnë gjithmonë me larje hesapesh.