Piramidat, sa do të marrin kreditorët

Ky është numri i atyre personave që nuk kanë mundur të marrin asnjë lek nga firmat rentiere, të falimentuara në 1997-ën.
Burime zyrtare nga Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve, të cilat i referohen edhe raportit të fundit nga puna e bërë deri më tani, shprehen se aktualisht janë të bllokuara 31 asete, të cilat më parë ishin pronë e kompanive piramidale.
Mendohet se nga shitja e tyre mund të krijohet një fond prej 250 milionë lekësh, i cili do të shërbejë për likuidimin e pjesshëm të këtyre kreditorëve.
Nga një përllogaritje e thjeshtë matematikore, del se masetarja e shumës që mund të marrin të gjithë kreditorët shkon diku tek 7500 lekë.
Nga statistikat zyrtare del se rreth 300 mijë persona kanë humbur paratë e tyre te shoqëri të ndryshme private, të cilat aktivitetin e tyre e ushtronin duke mashtruar si subjekte bankare, interesat e të cilave shkonin disa herë më të larta se vet tregu i ligjshëm.
Administratorët e Fajdeve kanë nisur punën për kthimin e pjesshëm të parave për kreditorët e VEFA-s, “Gjallicës”, “Silva”, “Cenaj”, “Kamberi”, “M.Leka”, “Beno”, “Xhaferri”, “Populli” dhe “Nahlel”.
Megjithatë, shpresat për një dëmshpërblim ndaj kreditorëve të këtyre shoqërive janë të pakta, pasi vetëm një pjesë e pasurisë së tyre është gjetur në Shqipëri, ndërsa diferenca ndodhet në banka të huaja, jashtë vendit.
Bankat
Sfida më e madhe për administratorët e shoqërive huamarrëse janë identifikimi dhe marrja e parave që shoqëritë piramidale kanë depozituar jashtë vendit.
Mendohet se deri tani janë identifikuar rreth 110 milionë dollarë, të depozituara në disa shtete të botës. Pjesa më e madhe e kësaj shume i takon shoqërisë “Gjallica”, me rreth 83 milionë dollarë, e mandej VEFA dhe “Kamberi”, përkatësisht 7.8 dhe 2.7 milionë dollarë.
Të dyja këto shoqëri kanë depozituar edhe në valuta të tjera, si në lireta italiane dhe në dhrahmi greke (këto valuta nuk përdoren më, të zëvendësuara nga euro).
Nga raporti i Grupit Mbikëqyrës rezulton se VEFA ka depozituar gjatë vitit 1996-1997 rreth 1.2 miliardë lireta (afërsisht 70 milionë lekë), ndërsa “Kamberi” kishte depozituar rreth 5 miliardë lireta (afërisht 300 milionë lekë).
Ndryshe nga shoqëritë e tjera, mësohet se “Cenaj” ka depozituar jashtë Shqipërisë rreth 5 milionë deutsche marke (DM) ose rreth 400 milionë lekë.
Këto janë të dhënat më të fundit që vijnë nga kryeadministratori i Fajdeve, Bajram Malaj, i cili përfaqëson qeverinë në këtë grup pune.
Shtetet
Nëse për disa shoqëri mendohet se janë gjetur shumat, administratorët e fajdeve kanë dyshime për ekzistencën e miliona dollarëve të tjerë jashtë vendit.
Kështu, nga puna e deritanishme rezulton se, rreth 10 milionë dollarë dhe 1.3 miliardë dhrahmi janë depozituar në Greqi, ku mendohet se janë pronë e shoqërive piramidale, të falimentuara në vitin 1997.
Të tjera shuma korrespondojnë në shtete si SHBA, Itali, Turqi, Zvicër, Greqi, Austri e madje në Kosovë, që në total bëhet fjalë përreth 20 milionë dollarë dhe rreth 6 miliardë lireta.
Për sa i përket konvertimit, llogaritja është bërë: 1 USD e barasvlershme me 98.64 lekë.