E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Durrësit, një bulevard tip Avenue

Në një konkurs ndërkombëtar u paraqitën tri propozime për fytyrën e re të Zonës E në Tiranë, në funksion të planit të ri rregullues të qytetit.

Pjesëmarrësit në konkurs ishin: “BLK Architects”, “Design International”, si dhe “Favre & Guth”. Konkursi u gjykua nga një juri ndërkombëtare dhe ideja fituese do të shpallet në një takim të dytë.

Zona prioritare E ka një sipërfaqe prej 206000 m². Ajo shtrihet në pjesën veriperëndimore të qytetit, përgjatë Rrugës së Durrësit. Sipas planit rregullues ekzistues, në limitet e Zonës E kalon unaza e jashtme e qytetit dhe aksi kryesor i hyrjes në Tiranë (Rruga e Durrësit); në perëndim të zonës ndodhet mbikalimi i Kamzës, ndërsa në kufirin jugor, kryqëzimi në nivel i Unazës së Madhe me Rrugën e Durrësit.

Afërsia e saj me akset e rëndësishme të transportit e bëjnë mjaft të rëndësishme në zhvillimin e ardhshëm të qytetit dhe si nyje të fuqishme transporti, veçanërisht në rastin e implementimit të skemës së transportit multimodal. Ndërsa hekurudha në veri të zonës konsiderohet një potencial që do mund të zhvillohet paralel me projektin fitues.

Pushteti vendor synon krijimin e një “rajoni” të ri, bazuar te një plan urban zhvillimi sipas standardeve evropiane. Element kyç i krijimit të një zone urbane tepër energjike është përqasja e rrugës, si hapësirë publike; distanca të shkurtra dhe një numër i gjerë shërbimesh të ndryshme që do ta kthenin këtë “rajon” në një qendër tepër atraktive, duke garantuar ngjyrime të ndryshme të jetës së përditshme.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar krijimit të një bulevardi tip “Avenue” në Rrugën e Durrësit, si dhe një zone të pasur me funksione publike, minilulishte, fusha sporti, objekte sociale etj.

Por pa harruar rritjen e rolit të këmbësorit dhe krijimit të një parkimi publik. Elementë të tjerë që duhen konsideruar në këtë plan të ri rregullues janë edhe përdorimi ekonomik dhe inteligjent i tokës së lirë, ulja e përdorimit të makinave.

Integrimi sa më i mirë i Unazës dhe Rrugës së Durrësit, duke propozuar zgjidhje që riunifikojnë zonën. “Ndërhyrjet urbane në këtë zonë duhet të kenë në konsideratë të veçantë impaktin ambiental në zonë.

Gjithashtu, zhvilluesit privatë që do të veprojnë në këtë zonë duhet të kontribuojnë në zhvillimin e zonës në përgjithësi”, shprehen përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës.

Si rrjedhojë e trafikut të dendur, në të dy këto akse, kërkohet që të ketë rrugë shërbimi. Në pjesën juglindore të zonës duhet të merret në konsideratë vendndodhja e një parkimi publik.

Në këtë pikë duhet të rezervohet dhe hapësira për një terminal të linjave interurbane. Nga pala investitore parashikohet që në zonën qendrore, për nga shtrirja e sipërfaqes dhe nga pozicioni që lidhet direkt me aksin kryesor që është Rruga e Durrësit, të zhvillohet një qendër tregtare.

Zona mendohet të bëhet edhe më funksionale me ndërtimin e një kinemaje, një parku dhe fusha sportive, një hipermarketi, fitnes, kafeteri, restorant, etj.

Në këtë zonë është parashikuar dhe ngritja e një hoteli, i cili do të jetë një nga elementët identifikues më të rëndësishëm të saj.

Për nga tipi i ndërtimit, këshillohet që ky hotel të vendoset në një nga zonat qendrore. Duke iu referuar rregullores së urbanistikës dhe mungesës së objekteve sociale në rajon, në këtë zonë duhet të vendosen: dy kopshte, dy çerdhe, një shkollë 9-vjeçare, një shkollë e mesme publike.

Parkimi duhet të plotësojë nevojat e zonës në kuotën 100%, si dhe të sigurojë vendet e nevojshme për popullsinë që do të vizitojë këtë zonë (qendrën tregtare). Parkimi duhet të jetë nëntokësor. Në zonën e banuar do të parashikohen edhe rrugët për shërbimin e zjarrfikëseve dhe emergjencave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›