E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, dëbora vështirëson situatën

TROPOJË - Në qytetin Bajram Curri trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm, ndërsa mungesa e borëpastruesve ka vështirësuar lëvizjet. Kurse për automjetet zinxhirët kanë qenë të domosdoshëm, pasi rrugët janë vështirësuar nga akulli nën dëborë. Sipas njoftimeve të policisë rrugore, nuk ka pasur aksidente. E vështirë paraqitet situata në të gjitha komunat e në veçanti në Lekbibaj, Margegaj, Tropojë dhe Bytyç dhe Bujan, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 cm dhe lëvizja e njerëzve dhe mjeteve për fshatrat e komunës Lekbibaj, fshatrat Çerem, Valbonë, Dragobi të komunës Margegaj është i pamundur. Mungesa e mjeteve ka vështirësuar pastrimin e rrugëve.
Situata po rëndohet çdo ditë e më shumë këtë funddhjetori. Nga banorët kërkohet marrja e masave për furnizimin me bazë ushqimore të blegtorisë, krijimin e rezervave ushqimore për popullsinë dhe sigurimi i druve të zjarrit për ngrohje. Në shumë fshatra dhe lagje të qytetit është dëmtuar rrjeti elektrik, duke mbetur pa energji që nga nata e së premtes. Punonjës të agjencisë elektrike shpjegojnë se rrjeti është tejet i amortizuar, sidomos në fshat, ndërsa bëjnë të ditur se nuk kanë bazë materiale dhe mjete për riparimin e defekteve të krijuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›