"Pirlo qëndron, në merkato për një golashënues"
"Andrea Pirlo do të qëndrojë te Milani, ashtu siç ka kërkuar edhe trajneri ynë". Kjo ishte deklarata e parë e Silvio Berluskonit, menjëherë pas takimit të djeshëm në Milanelo me administratorin Adriano Galiani dhe teknikun Leonardo. Rreth spekulimeve të shumta që qarkulluan për të ardhmen e mesfushorit të Kombëtares italiane, presidenti tha: "Ançeloti dëshironte të merrte Pirlon te Çelsi, por vendosëm se lojtari nuk do të largohej. Ai shihet si një element shumë i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm". Qëndrimi i regjisorit ishte vetëm njëra nga çështjet e diskutuara në konsultimin që zgjati afro tri orë. "Do të kthehemi menjëherë në merkato", shtoi numri 1 i kuqezinjve. "Klubi ka vënë në dispozicion të Galianit fondet e mjaftueshme për të blerë një sulmues të madh. Emrat? Ata që janë përfolur deri më tani. Trajneri kërkoi rifreskim të kontingjentit. Milani ka një repart ofensiv të kompletuar, me sulmues të nivelit të lartë. Gjithsesi, Leonardo mendonte se ishte e pamundur nga lojtarët aktualë që të përballonin të gjithë ngarkesën nga impenjimet në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve". Kjo është arsyeja përse nevojitet afrimi "i një lojtari të konfirmuar, i cili shënon rregullisht". Berluskoni siguroi se "Milani do të veprojë menjëherë. Nuk jemi Reali, i cili bën shpenzime të ‘çmendura‘ në këtë kohë krize, por do të jemi protagonistë në Itali dhe Europë".