E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pisha larg Dinamos,mungon zyrtarizimi

Kontrata midis Arjan Pishës dhe Dinamos mund të quhet e prishur, edhe pse mungon ende zyrtarizimi për të vulosur ndarjen përfundimtare midis kapitenit dhe bluve. 

ANDREA KUSHI

Humbjet e Dinamos në Champions kanë prishur humorin e Pishës, i cili më shumë se çdo herë tjetër ishte i sigurt për një rezultat pozitiv nga ana e bluve në Evropë. Por vendimet e drejtuesve dhe lëvizjet e shumta në skuadër gjatë kësaj periudhe verore, me largimin e plot gjashtë titullarëve të sezonit të fundit, kanë shqetësuar kapitenin dinamovit, i cili tashmë duket i bindur për të prishur kontratën që e lidhte me Dinamon për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit dinamovitë, të informuar për qëllimet e mbrojtësit, janë të gatshëm për të prishur kontratën e firmosur verën e kaluar dhe që i lidhte palët edhe për sezonin 2008-2009, edhe pse ndonjë lëvizje e orëve të fundit mund të sjellë zhvillime të reja për këtë çështje. Ndarja e Pishës me blutë, edhe pse mund të konsiderohet miqësore, duke parë se duhet konsensusi i të dy palëve për të prishur kontratën, fsheh pas saj pakënaqësi të lidhura kryesisht me eliminimin e bluve nga Championsi dhe ndërtimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm. Sot pritet që Pisha dhe presidenca dinamovite të takohen për të përcaktuar detajet finale të ndarjes së tyre, duke shënuar kështu edhe prishjen zyrtare të kontratës. Destinacioni më i mundshëm i mbrojtësit, i cili prej kohësh ka marrë një ofertë konkrete në dorë, është Tirana, me të cilën pritet të bashkohet pas rikthimit të bardhebluve nga Maqedonia, atje ku janë duke zhvilluar edhe fazën përgatitore. Oferta e majmë financiare e ardhur nga Tirana duket se e ka bindur përfundimisht mbrojtësin për t’u larguar nga blutë dhe për t’u rikthyer sërish me bardheblutë, vetëm një sezon pas ndarjes së parë. Për Dinamon ky nuk është rasti i parë që has në dëshirën e lojtarit për të prishur kontratën. Përpara Pishës ishte radha e Kulit për të kërkuar shkëputje, lëvizje për të cilën drejtuesit dinamovitë do të pendoheshin pak ditë më pas duke i bërë sërish ofertë për t’u bashkuar me ta, por që do të hasnin në refuzimin e lojtarit, kërkesat e të cilit nuk përputheshin me ofertën e Dinamos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›