E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pishtari olimpik arrin majën e Everestit

Më 9:16 me orën lokale, 01:16 e mëngjesit të së enjtes në Shqipëri, në majën e Everestit ka shkelur mbajtësja e Flakës Olimpike, tibetiania Çiren Uangmu. Vajza, e përzgjedhur nga organizatorët e Lojërave 2008, i ka përshkruar metrat e fundit pa ndihmën e maskës së oksigjenit. Pas më shumë se një javë përgatitjeje, disa tentativave për bojkotim dhe ndezjes finale nga kampi në bazë të malit deri në 8 mijë e 848 metra lartësi (rruga zgjati për më shumë se 6 orë), më në fund pishtari olimpik arriti në pikën më të lartë në planet. Erërat e forta dhe temperatura që shënonte -30°, nuk e ndaluan mini-stafetën, për përfundimin e së cilës është dashur ndërhyrja e natyrës: në shtrëngatën e dëborës, e cila kishte "zhdukur" majën e Everestit, papritur është hapur një "dritare", që e bëri ngjitjen më të lehtë. Për mbajtjen e flakës ishte përzgjedhur një grup me 31 persona, 22 tibetianë, tetë Han, etnia më e madhe në Kinë dhe një përfaqësues i minorancës, Tujia. Stafeta është hapur nga kinezja 39-vjeçare, Ji Ji, njëra prej dy femrave të përzgjedhura. Burri i saj, Rena kishte humbur jetën tre vjet më parë, ndërkohë që po tentonte të ngjitej nga kampi bazë në 8 mijë e 80 metra lartësi në Gasherbrum 1, njërit prej gjigantëve të Himalajas. Nuk kishte si të mungonte edhe ngritja e flamurit: njëra pas tjetrës në "çatinë e botës" janë vendosur flamuri i kuq i Republikës Popullore, flamuri me pesë rrathë dhe ai që mbante logon e Lojërave Olimpike, "Pekin 2008". Ngjitja e flakës drejt Everestit është kritikuar nga Reinhold Mesner, që më 8 maj 1978 ka arritur në majë pa ndihmën e oksigjenit. "Kalimi i flakës olimpike në Everest është një ofendim për tibetianët. Mali, i cili për njerëzit që jetojnë aty konsiderohet si i shenjtë, është shfrytëzuar për marketing dhe propagandë", tha Mesner. "Alpinizmi nuk është një disiplinë olimpike. Nuk e kuptoj arsyen përse flaka duhej të dërgohej në Everest. Mali u shndërrua në objekt propagande dhe kam frikë se edhe Lojërat kanë të njëjtin qëllim".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›