Yjet e Barçës, kuotat në rënie të lirë
Shkatërrimi 4-1 në fushën e Realit të Madridit (kampione e Spanjës) ishte vetëm kapitulli i fundit i një sezoni të dështuar. Në rrugën për t‘u kthyer në "Kamp Nou", lojtarët janë sulmuar në aeroport nga një grup tifozësh të pakënaqur me paraqitjen e skuadrës. Ndërkohë që sportistët u transportuan pa probleme në autobus, ata kanë parë skenat e tensionuara rreth e përqark. E përditshmja sportive, Marca bëri të ditur se afro 40 mbështetës katalanë kishin bllokuar rrugën dhe kanë ofenduar skuadrën. Tifozët nuk i kursyen as gjestet me duar për heronjtë e tyre dhe për mënyrën sesi lojtarët kishin kapitulluar në "Santiago Bernabeu". Disa tifozë tentuan që të futeshin në autobus, por ndërhyja e policisë bëri që situata të mos degjeneronte. Paraqitjet e dobëta, të cilat reflektohen edhe nga rezultatet jo në lartësi, kanë bërë që edhe çmimi i lojtarëve kryesorë të Barçës të bjerë ndjeshëm. Krahasimi i shifrave të fillimit të sezonit dhe në fund të kampionatit janë të frikshme, mbi të gjitha për arkat e klubit. Duke filluar nga Ronaldinjo, që në këto muajt e fundit ka qenë më i përfoluri. Vetëm tetë muaj më parë, fantazisti brazilian vlente 60 milionë euro, por tashmë drejtuesit "blaugrana" duhet ta harrojnë ta shesin me këtë çmim. Dinjo është i dëmtuar, ka humbur besimin e trajnerit, respektin e tifozëve, dëshirën për të luajtur dhe mbi të gjitha 2/3 e kartonit. Barça shpreson ta shesë 40 milionë euro, por momentalisht lojtari vlen vetëm 20. Duket se në bursë aksionet e lojtarit janë pezulluar prej kohësh, për shkak se po pësonte rënie drastike. Për Henrinë, Arsenali përfitoi 24 milionë euro. Sulmuesi shënoi golin e nderit kundër Realit, por ai është një prej lojtarëve që kanë zhgënjyer më shumë. Tashmë lojtari mund të blihet për afro 10 milionë euro, një lloj ulje me qëllimin e vetëm që ta largojnë. Në radhët e Interit kanë shprehur interes për francezin. Për gjendjen e keqe të skuadrës, Eto‘o cilësohet më pak përgjegjës se të tjerët: nga 40 milionë euro, kartoni i tij vlen 35. Në Angli e kërkon Totenhemi, por kamerunasi nuk e mendon largimin. Nga "Katër të Mrekullueshmit" të reklamuar me bujë në fillim të sezonit, përjashtohet vetëm Lionel Mesi. Në vend të tij, në listën e dështimeve përfshihet Deko. Portugezi vlente 25 milionë euro, ndërsa tashmë kushton vetëm 10. Me llogari të thjeshta, përfundimi është alarmant: 40, 14, 5, 15 (milionë euro kuptohet), në arkat e Barcelonës ka 74 milionë euro më pak. As mediat nuk janë kursyer pas paraqitjes së dobët. "Sport" shkruante: "Keni çnderuar fanellën; shumë prej lojtarëve nuk meritojnë të qëndrojnë një ditë më shumë". Klithma e El Mundo Deportivo ishte: "Turp!", ndërsa për El Periodico "Barça ishte qesharake përballë Realit", duke vazhduar "Turp i pafund".