E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdini: Marrveshja me LSI në nivel lokal vazhdon

07/07/2009  Kryetari i Bashkisë Elbasan

ELBASAN- Qazim Sejdini, kryebashkiaku i Elbasanit deklaroi dje se ai nuk do të prishë marrveshjen me Lëvizjen Socialiste për Integrim të lidhur para zgjedhjeve vendore të 2007, edhe me ndryshimet më të fundit politike. Në bashkinë e Elbasanit ku drejton e majta, LSI ka poste kyçe si nënkryetari dhe disa drejtori. Po kështu, ka edhe një numër punonjësish. Sejdini e ka thënë këtë gjatë një deklarate për gazetarët duke iu përgjigjur pyetjeve për qëndrimin e bashkisë Elbasan ndaj marrveshjes me LSI. “Unë si kryetar bashkie kam një marrveshje parazgjedhore të vitit 2007 me LSI dhe kjo marrveshje vbazhdon të funksionojë. LSI do merrte aq pozicione sa do të merrte mandate në Këshillin Bashkiak. Kështu kjo marrveshje u respektua dhe LSI ka postin e nënkryetarit dhe disa drejtori. Unë nuk e prish ketë marrveshje pvarësisht zgjedhjes politike të LSI pasi kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet vendore. Elbasani mbetet një rast i veçantë dhe ne nuk kemi pasur asnjë konflikt me LSI edhe në zgjedhjet e fundit”. Në zgjedhjet e vitit 2007 Sejdini fiton bashkinë edhe me votat e LSI. Nga këto zgjedhje 4 këshilltarë i merr LSI dhe në bazë të këtij numri, kjo parti do të merrte edhe pozicionet në institucionin vendor. Kështu LSI ka nënkryetarin Serafin Papa, disa drejtori kyçe dhe pozicione të tjera ku janë të punësuar emra të njohur të LSI në Elbasan. Kjo marrveshje ka vazhduar qysh prej 2007 dhe po kështu nuk ka pasur probleme as përplasje mes dy forcave politike në nivel lokal. Kryebashkiaku Sejdini përjashtoi çdo mundësi prishjeje nga ana e tij të kësaj marrveshje edhe në rast se kryesia e PS ia kërkon. Ai tha se kjo marrveshje nuk do të prishet deri kur nuk ka edhe një vendim politik për tërheqje nga LSI, të të kundërt ata do të vazhdojnë të mbajnë postet drejtuese deri në zgjedhjet e ardhëshme vendore. Sejdini ka realizuar dy vite më parë marrveshjen në nivel lokal duke marrë mbështetjen e të gjitha forcave politike të majta. Kjo ka bërë që e majta në nivel vendor të hyjë e bashkuar dhe të fitojë zgjedhjet. PS ka qenë miqësore me LSI edhe gjatë këtyre zgjedhjeve aq sa ka vazhduar t’ia mbrojë votat gjatë numërimit si dy vjet më parë. Ndërkohë përfaqësues të LSI që i janë kthyer punës në institucionin vendor, në kohën e fushatës dhe zgjedhjeve kanë marrë lejen e zakonshme duke u përqëndruar tërësisht në zgjedhje. LSI në Elbasan arriti të marrë afërsisht 7 mijë vota, por nuk mundi të përfitojë një mandat deputeti nga 14 të tilla, të cilat u ndanë mes dy partive të mëdha në mënyrë të barabartë. Ndërkohë nuk ndjehen kaq të sigurtë demokratët në postet kyçe në pritje të hapsirave që do të marrë LSI në qeverisje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›