E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin zgjedhor, thelbësore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies”

28-11-2012 / Gazeta 55

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, takohet me përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, u takua dje me përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, për të diskutuar veprimtaritë e planifikuara përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, njoftoi zyra e shtypit e kësaj Prezence. “Unë e shoh pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në procesin zgjedhor si thelbësore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, rrjedhimisht për krijimin e besimit në këtë proces”, tha ai. “Vëzhgimi vendor i zgjedhjeve plotëson përpjekjet ndërkombëtare në këtë fushë. Të dyja mbështesin të njëjtin qëllim: atë të sigurimit që zgjedhjet të jenë vërtet demokratike dhe kuptimplota”, tha ambasadori Wollfarth, duke përgëzuar përfshirjen e Koalicionit në vëzhgimin e përgatitjeve dhe zhvillimit të zgjedhjeve.
Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë ta mbështesë shoqërinë civile.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është një aleancë organizatash joqeveritare dhe jopolitike, që kanë për qëllim zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Koalicioni ka monitoruar dhe ka përgatitur raporte për proceset zgjedhore që nga viti 2003.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›