E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesëmarrje e lartë, por me probleme

22/05/2009  Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve paraqet sondazhin mbi çështjet zgjedhore

Sondazhi është zhvilluar në tri qytete kryesore, ku janë anketuar 1200 qytetarë

Pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit pritet të jetë të nivel të lartë. Kështu tregon sondazhi i përgatitur nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve. ZMQ-ja thotë se qëllimi ka të bëjë me paraqitjen e situatës parazgjedhore në Shqipëri. Në bazë të rezultateve, 78% e të pyeturve janë shprehur pozitivisht, ndërsa pjesa tjetër, që ndahet në mënyrë të barabartë me 11%, refuzojnë të hedhin votën ose gjenden te grupi i të pavendosurve për të marrë pjesë në votime. Një problem që del nga ky sondazh lidhet me njohuritë që kanë qytetarët rreth sistemit të ri zgjedhor, atë proporcional-rajonal, i cili u ndryshua pas shumë diskutimesh nga votat e pjesës dërrmuese të ligjvënësve të legjislaturës që sapo mbaroi. Kështu, 82% thonë se nuk kanë idenë rreth këtij sistemi, ndërsa pakica prej vetëm 18% kanë njohuri për sistemin. Sipas rezultateve të këtij sondazhi shihet se rreth gjysma e të anketuarve shprehen se kanë besim për zgjedhje të besueshme. Pra, 53% kanë besim, ndërsa 22 nuk kanë besim dhe 25% janë shprehur se indiferentë. Megjithatë, qytetarët mendojnë se këto zgjedhje do të shoqërohen me probleme. Sipas tyre, problemet më të mëdha do të hasen gjatë procesit të numërimit të votave, por edhe gjatë vetë votimit, transportimit të kutive të votimit, por edhe probleme që do të lindin me pajisjen e qytetarëve të dokumentet e identitetit. Në bazë të rezultateve të sondazhit të ZMQ-së, reflektohet se për 83% prioriteti kryesor ka të bëjë me papunësinë në vend, 54% lufta kundër korrupsionit, 42% lufta kundër varfërisë, 25% zgjidhja e problemit të pronave, ndërkohë që pjesa tjetër është shprehur se prioritet ka shëndetësia, arsimi, infrastruktura, lëvizja e lirë drejt Bashkimit Eruopian. Sipas sondazhit, qytetarët në pjesën dërrmuese të tyre ngrenë shqetësimin në lidhje me mungesën e transparencës financiare të deputetëve aktualë. Sondazhi “Zëri i publikut për çështjet zgjedhore”, sipas ZMQ-së është zhvilluar në tri qytete kryesore të vendit, ku janë anketuar 1200 qytetarë, të cilët janë përzgjedhur në mënyrë rastësore në bazë të një kampionimi të shtresëzuar. Ky sondazh është zhvilluar gjatë dy javëve të para të muajit prill mbi disa çështje që lidhen me situatën parazgjedhore në Shqipëri.

Kartat e identitetit

Sipas rezultateve të sondazhit të bërë nga ZMQ-ja, pjesa më e madhe e të anketuarve kanë thënë se kanë aplikuar për t’u pajisur me kartat e reja të identitetit. Kështu, në bazë të këtij sondazhi 61% kanë aplikuar, 30% do të aplikojnë, 6% nuk do të aplikojnë dhe vetëm 3% janë përgjigjur se nuk e dinë.

Qeveritë hije

Të anketuarit janë pyetur mbi faktin nëse partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit duhet të shpallin qeveritë hije. Në bazë të rezultateve rezulton se pjesa më e madhe e të anketuarve janë shprehur pozitivisht, ndërsa të tjerët janë ndarë në “jo” dhe “nuk e di”.

Fondet publike

Një ndër pyetjet që ZMQ-ja ka përfshirë në këtë sondazh është nëse qytetarët mendojnë se po përdorën fonde publike (taksat) në fushatën zgjedhore. Sipas rezultateve, 69% e të pyeturve kanë pohuar se një gjë e tillë ndodh, 7% “jo”, ndërsa 23% kanë thënë se nuk dinë për një fenomen të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›