Plagos me thikë, prangoset 26-vjeçari
Plagos rëndë me thikë, arrestohet autori. Shërbimet e policisë së Durrësit kanë arrestuar Leonard Bufin, 26 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në lagjen 8 të qytetit bregdetar. Mësohet se Bufi ka plagosur me thikë, duke e goditur disa herë në pjesën e barkut, 30-vjeçarin Luan Dollani nga Skrapari dhe me banim në lagjen 15 të Durrësit. Ngjarja ndodhi pikërisht në këtë lagje, afër shtëpisë së një banori të Spitallës. Pas një konflikti për motive të dobëta, 26-vjeçari ka qëlluar me thikë në bark Luan Dollanin, të cilit i ka shkaktuar dëmtime të rënda për jetën. Menjëherë i dëmtuari është dërguar në spitalin rajonal të qytetit ku i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal dhe aktualisht ndodhet në sallën e reanimacionit. Ndërkohë, në duart e Bufit u shtrënguan prangat dhe ai do të përballet me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.