Plagosen dy vëllezër në Dibër
PESHKOPI Dy të rinj janë plagosur rëndë mesditën e djeshme në qytetin e Peshkopisë. Policia nuk ka zbardhur ende motivet e ngjarjes, por ka arritur të ndalojë autorin e dyshuar për plagosjen e dyfishtë. Qetësia e qytetit verior është prishur në orët e mesditës kur janë dëgjuar disa të shtëna pranë ish-shkollës së mesme bujqësore. Banorët e qytetit kanë dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të rinjtë Redon e Spartak Uka, ndërkohë policia është vënë në ndjekje të 22-vjeçarit Aleksandër Kadriu, i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë. Policia nuk ka zbardhur ende këtë ngjarje, por besohet se ajo ka ndodhur për motive të dobëta, pasi fillimisht të rinjtë janë grindur me njëri-tjetrin dhe pastaj Kadriu ka përdorur armën e zjarrit, duke plagosur në këmbë vëllezërit Uka. Policia tha se po punon intensivisht për zbardhjen e krimit, ndërsa mjekët sqaruan se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. P. H.