Pranga kosovarit, ishte dënuar me 16 vjet burg
KUKËS Një 39-vjeçar nga Kosova ka rënë në prangat e policisë shqiptare ndërsa po tentonte të kalonte në vendlindje pas pushimeve në bregdetin e Shqipërisë. Burime të policisë së Kukësit tregojnë se shtetasi Feim Muça, lindur dhe banues në Kosovë, i cili kishte vite që jetonte në Perëndim, gjatë kontrollit në sistemin TIMS, ka rezultuar se ishte shpallur më herët në kërkim nga Interpoli. Nga verifikimet e policisë del se ai kërkohej nga interpoli hungarez, ku ishte dënuar nga një gjykatë e atjeshme me 16 vite burg. Informacioni i policisë tregon gjithashtu se Muça akuzohej nga drejtësia e këtij vendi për “Trafikim të qenieve njerëzore” dhe për këtë e kishte dënuar në mungesë me 16 vjet burg. Në këtë periudhë të pikut të hyrje-daljeve të turistëve kosovarë në Shqipëri si dhe rikthimit të emigrantëve, janë shtuar edhe rastet e ndalimeve të personave që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare për vepra të ndryshme penale të përmbushura në vendet respektive. Në mënyrë të veçantë vendosja e sistemit TIMS të kontrollit në kufi ka bërë që një numër i konsiderueshëm personash të kërkuar bien në prangat e policisë, ku shumica e tyre kanë qenë shtetas nga Kosova. Vetëm gjatë dy viteve të fundit në pikat e kalimit të kufirit në Morin të Kukësit janë ndaluar më shumë se 60 persona nga Kosova, kryesisht emigrantë në Perëndim, të kërkuar nga Interpoli me akuza të ndryshme penale, si shpërndarje droge, kontrabandë mjetesh dhe trafik të qenieve njerëzore etj.