E Diel, 1 Nëntor 2026

U abuzua seksualisht, hakmerret me armë adoleshentja

Tenton të hakmerret ndaj dhunuesit të saj, bie në prangat e policisë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Tale 2, të Lezhës mesditën e së dielës, kur 17-vjeçarja Aurora J. nga fshati Shënkoll ka tentuar të vrasë me pistoletë në lokalin e tij, Kristian Lulin, banues në Tale. Vajza ka qëlluar me pistoletë mbi 18-vjeçarin, i cili ka shpëtuar pa u prekur nga asnjë plumb. Vajza është shoqëruar për në Komisariatin e Lezhës dhe më pas ndaj saj është prerë fletë-arresti nën akuzën "kanosjes". Zanafilla e historisë nis rreth dy muaj më parë, kur 18-vjeçari Luli u akuzua se kishte abuzuar seksualisht me vajzën nga Shënkolli, në lokalin e tij në Tale. I riu u arrestua me akuzën e abuzimit seksual, por pak ditë më pas gjykata e la të lirë për mungesë provash. Në këto kushte adoleshentja ka vendosur të hakmerret vetë, duke tentuar të vrasë dhunuesin e saj, por pa mundur ta çojë në fund qëllimin e saj. Të dielën, vajza është nisur për në fshatin e dhunuesit të saj dhe sapo ka arritur është drejtuar për në lokalin e Lulit. Adoleshentja ka qenë e shoqëruar nga katër shtetas, kur sapo është përballuar me 18-vjeçarin ka qëlluar mbi të me një pistoletë tip "Zastava". Djali ka arritur të shpëtojë pa u lënduar nga sulmi i vajzës. Sapo është sinjalizuar, në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka shoqëruar për në Komisariatin e Lezhës 17-vjeçaren, ndërkohë është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë të llojit "Zastava" si dhe disa gëzhoja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›