Plagoset 55-vjeçari, enigmë motivet
FIER Një 55-vjeçar është plagosur ditën e djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Muço Muçaj 55 vjeç është goditur me armë zjarri teksa futej në banesën e tij në lagjen “Apolonia” të Fierit nga persona të paidentifikuar. Sipas burimeve policore të komisariatit të Fierit mësohet se i plagosuri ka qenë kambist dhe se ditën e djeshme ka qenë duke u kthyer nga puna. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se 55-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit ku i është nënshtruar një operacioni dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur marrjen e dëshmive të personave që janë ndodhur aty në momentin e plagosjes. Ndërkohë ende nuk bëhet i ditur se cili është shkaku i plagosjes së 55-vjeçarit dhe pritet përmirësimi i tij që të merret në pyetje dhe të hidhet më shumë dritë për këtë ngjarjen e ndodhur në mes të qytetit të Fierit.