E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet në mesnatë kisha e Shënkollit në Grabovë

Gramsh Hajdutët kanë marrë pjesë të ikonostasit 200-vjeçar

Vidhet në mesnatë kisha e Shënkollit në Grabovë të Rrethit të Gramshit, rreth 40 kilometra larg këtij qyteti. Persona ende të paidentifikuar, kanë tentuar disa herë të grabisin objektin e kultit, por kanë mundur ta finalizojnë qëllimin e tyre vetëm mesnatën e së dielës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, hajdutët kanë thyer dyert e kishës, duke shkatërruar me leva kyçin e saj dhe më pas kanë çmontuar dy portat e Ikonostasit që datojnë rreth vitit 1803. Ato janë gdhendur në dru panje dhe janë të mbushura me elementë dekorativë kishtarë. Prifti i kësaj kishe, Mihal Prifiti, ka qenë i parë që ka konstatuar grabitjen dhe ka njoftuar komunitetin e zonës. Ndërkohë është vënë në dijeni edhe policia e Gramshit, që ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve të mundshëm. Për ngjarjen është prononcuar edhe kryetari i shoqatës kulturore, “Grabova”, Todi Buza, i cili e ka dënuar aktin e shëmtuar të vjedhjes së dy portave kishtare me vlerë të pallogaritshme historike, kulturore dhe etnografike. Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me atë të Gramshit, kanë nisur hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Për të njëjtën vepër penale, dhjetë ditë më parë policia e Elbasanit ndaloi dy persona nën akuzën e “Vjedhjeve të objekteve kulturore kishtare”, të cilit ishin nisur drejt Greqisë.

Ndërkaq, rreth një vit më parë, gjatë muajve janar dhe shkurt, në qytetin e Elbasanit u vodh kisha e Shën Marisë dhe ajo e Shën Thanasit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›