Shkon në spital i plagosur, rezulton person i kërkuar
Përfundon i plagosur rëndë në spital dhe rezulton person në kërkim nga policia e Tiranës. Në fillim të këtij muaji durrsaku Myslim Verdha, 19 vjeç, i njohur edhe me emrin Donald Hoxha, dyshohet se ka plagosur me thikë një shtetas te stadiumi “Qemal Stafa” në Tiranë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Këtë fundjavë ai është paraqitur i plagosur rëndë me thikë në shpinë në urgjencën e spitalit të Durrësit dhe ndodhet në repartin e reanimacionit të këtij spitali. Me t’u njoftuar nga spitali, policia nisi hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe autorin e plagosjes së të riut. Nga veprimet e para hetimore u arrit të identifikohet si autor i dyshuar i plagosjes shtetasi Erti Bllaca, 25 vjeç nga Durrësi, i cili pas ngjarjes është larguar dhe po kërkohet nga policia. Por nga verifikimet e kryera rezultoi edhe se i dëmtuari Myslim Verdha (Donald Hoxha), më 3 qershor është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, vepër e kryer më 1 qershor te stadiumi “Qemal Stafa”, ku dyshohet se ka goditur me thikë shtetasin Y.I.
#