Vrasësi montoi 600 gr tritol në televizor
Atentat për motive hakmarrjeje, për një vrasje të ndodhur 13 vite më parë, është klasifikuar ngjarja e para dy ditëve në familjen Xhebrahimi. Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp ka zbardhur motivet dhe detajet e ngjarjes që tronditi lagjen Sauk të Tiranës, ku 2 persona humbën jetën dhe u plagosën 3 të tjerë.
Policia deklaroi se ka arrestuar Luan Dervishin si autor të dyshuar të vrasjes. Sipas policisë, Xhevdet Xhebrahimi kishte vrarë, për motive të dobëta, në 1997-n Naim Dervishin, xhaxhanë e autorit të dyshuar. “Autori ka blerë një televizor 32-polësh në një nga supermarketet e Tiranës dhe pasi ka montuar në të një sasi eksplozivi prej 600 gramësh tritol, e ka dërguar në banesën e viktimës. Në momentin kur 71-vjeçari së bashku me të afërmin e tij, Luan Brahja, 36 vjeç, kanë tentuar të vënë në punë televizorin, ka shpërthyer eksplozivi. Drejtori i policisë, Vocaj, nënvizoi se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Luan Dervishi, 25-vjeçar, nga fshati Picallë i Tiranës, është autori i vrasjes. Ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë. Luan Dervishi akuzohet për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të municioneve luftarake.
NgjarjaRreth orës 09:00 të mëngjesit, në banesën e Xhebrahimëve ka mbërritur kushëriri i tyre, Luan Brahja, i cili punonte si teknik televizorësh. 36-vjeçari, i cili është baba i tre fëmijëve dhe banon jo shumë larg shtëpisë së Xhebrahimit, ka hyrë brenda dhe bashkë me Xhevdetin dhe djalin e tij, Altinin, kanë filluar të vendosin një televizor të ri, që ata sapo e kishin marrë. Pa kaluar as 40 minuta, rreth orës 09:40, ata kanë dashur të fusin në prizë televizorin, por një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në banesë. Gruaja e Xhevdetit, Fatbardha 58-vjeçare, nuk ndodhej shumë larg, djali ishte ulur në kolltuk, ndërsa vajza, Shpresa, ishte në korridor. Të gjithë ndodheshin në katin e dytë të banesës. Shpërthimi ka qenë aq i fortë, sa të gjithë fqinjët janë shtangur. Të gjithë kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur, kur kanë vënë re se gjysma e banesës ishte shembur. Menjëherë, njerëzit janë afruar për t’u dhënë ndihmën njerëzve që ndodheshin brenda, ku Fatbardha kërkonte ndihmë me zë të lartë. Shpërthimi kishte thyer edhe xhamat e makinave dhe të banesave pranë banesës private. Në moment është vënë re se Xhevdeti, rreth 71 vjeç, kishte ndërruar jetë në vend. Plagë të rënda kishte edhe kushëriri i tij 36-vjeçar. Luan Brahja ka ndërruar jetë gjatë rrugës dhe ai e kryefamiljari janë dërguar menjëherë në morgun e Tiranës.
HetimetPolicia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar banesën ku ndodhi shpërthimi. Më vonë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e FNSH-së, të cilat, bashkë me uniformat blu, kanë pastruar gjithë tullat e rrënuara nga shpërthimi, me qëllim për të gjetur vatrën ku kishte shpërthyer lënda plasëse. Ekspertët dyshuan se eksplozioni ishte shkaktuar nga eksplozivi, dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertët përkatës, që nisën menjëherë kërkimet. Hetimet e policisë kanë vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, dhe më në fund ata arritën në përfundimin se eksplozivi ishte montuar në televizor, pasi pranë murit ku ishte vendosur ai ishte krijuar një vrimë e madhe.
#