Biznesmeni me pushime, i vjedhin 500 milionë lekë
29/04/2009 Grabitje spektakolare në Tiranë, dy hajdutëve u bie “bingo”, vjedhja nga tarraca
Ilir Çela, bosi i ndërtimit, ndodhej në Hungari dhe kishin lënë në shtëpi një të afërm
TIRANE- Një grabitje spektakolare është kryer dje në një apartament në kryeqytet, ku mendohet se dy persona ende të paidentifikuar nga policia kanë mundur të “përlajnë” shumën financiare prej rreth 500 milionë lekë të vjetra. Grabitësit kanë hyrë nga tarraca e katit të nëntë të pallatit, nga ku kanë mundur të futen në banesë, duke marrë nga kasaforta të gjitha paratë. Mësohet se gjatë kohës kur është kryer grabitja në banesë nuk ka pasur asnjë njeri. Nisur nga kjo situatë autorët e kësaj ngjarjeje me qetësi kanë mundur të marrin me vete kasafortën, brenda së cilës ndodhej kjo shumë parash. Mësohet se përveç parave ata kanë grabitur edhe disa sende personale tepër të kushtueshme, të cilat i përkisnin pronarit të banesës. Burimet zyrtare pranë policisë së shtetit thanë se pronari i apartamentit është shtetasi Ilir Çela, i cili njihet në kryeqytet si biznesmen në fushën e ndërtimit. Çela së bashku me bashkëshorten e tij kishin disa ditë që kishin udhëtuar për pushime në Hungari dhe për t’u kujdesur në shtëpi, ata kishin lënë një të afërmin e tyre, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga burimet policore. Sipas këtyre burimeve, ka qenë pikërisht ky person që ka njoftuar policinë e Tiranës, efektivët e së cilës kanë mbërritur menjëherë në pallatin që ndodhet në rrugën “Hamit Shijaku”. Pas mbërritjes në vendngjarje specialistët e seksionit të vjedhjeve kanë filluar punën për identifikim dhe arrestimin e personave që dyshohen si organizatorë të kësaj grabitjeje. Lidhur me ngjarjen e rëndë është informuar në Hungari edhe biznesmeni Ilir Çela, i cili pas lajmit të hidhur është nisur direkt për në Tiranë.
Hetimet
Ndërkohë policia ka kaluar në sitë dhjetëra persona, të cilët kanë qenë të afërm dhe komshinj të biznesmenit Nani. Nga deklarimet e tyre pothuajse nuk është zbuluar asgjë mbi ngjarjen, pasi komshinjtë dhe personat e tjerë nuk kanë vënë re se çfarë ka ndodhur në banesë. Ata kanë deklaruar se gjatë natës dhe ditës nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë të dyshimtë në korridor. Nisur nga këto deklarime agjentët e policisë kanë kryer këqyrjen totale të banesës së grabitur. Nga ky proces është konstatuar se në derën e jashtë të ballkonit ndodheshin disa xhama të thyer. Pikërisht nga kjo provë policia ka mundur të zbardhë skemën e grabitjes, por jo autorët e saj. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, hyrja e autorëve në banesë është kryer nga tarraca e pallatit. Mendohet se duke pasur informacion mbi vendndodhjen e biznesmenit Ilir Çela, nëpërmjet një litari ata kanë mundur të zbresin në ballkonin e shtëpisë së tij. Sapo kanë zbritur, grabitësit kanë thyer xhamin e derës dhe më pas janë futur brenda, duke vjedhur kasafortën e mbushur me para dhe disa sende të tjera. Uniformat blu kanë ngritur një sërë dyshimesh mbi ngjarjen, por më i qëndrueshmi sipas tyre është dyshimi se grabitjen mund ta kenë kryer njerëz të afërm dhe që kanë lidhje të ngushta shoqërore me biznesmenin. Aktualisht policia nuk ka mundur të provojë nëse grabitja ka ndodhur gjatë orëve të natës apo në mesditë. Ndërkohë që në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë është shoqëruar personi që ishte lënë për t’u kujdesur në banesë. Pritet dëshmia e pronarit të banesës, nga e cila mund të zbardhen autorët.
Precedenti në 2003-shin
Grabitja e 300 mijë eurove
tek rruga “Myslym Shyri”
TIRANE- Një tjetër ngjarje që ka natyrë të njëjtë me grabitjen e djeshme ka ndodhur në 9 qershor të vitit 2003. Pas tre vjetësh hetime policia mundi të identifikojë dhe arrestojë dy autorët që mundën të grabisnin rreth 300 mijë euro në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”. Në atë kohë, Eglantin Selimaj punonte kamerier në një lokal në rrugën “Myslym Shyri” pronë e Aristotel Jicas, i cili njëkohësisht ka në pronësi edhe një fabrikë në Kombinat. Selimaj ka bërë të mundur gjetjen e çelësit të banesës ku ndodheshin paratë, të cilin biznesmeni e linte në banakun e lokalit. Për një moment, Eglantini rrëmben çelësin dhe ia jep kushëririt të tij Renard Hametit, i cili pasi bën një kopje e risjell në banak. Gjatë kohës që nuk kishte njerëz në banesë, Renardi shkon për të vjedhur, por çelësi i kopjuar nuk e hap derën. Kështu ai kthehet. Merr çelësin origjinal dhe shkon në banesë. Në sirtarin e dollapit të dhomës së gjumit, Renardi gjen një çantë, brenda së cilës ndodheshin 300 mijë dollarë amerikanë. Ai merr paratë dhe pasi lë çdo gjë në rregull, kthehet te lokali, ku dorëzon çelësin.
Ngjarja në kryeqytet
Në mes të rrugës goditet
dhe grabitet në bulevard
TIRANE- Një grabitje me dhunë ka ndodhur në qendër të Tiranës. Viktimë e krimit ka qenë një qytetar, i cili u përball i pambrojtur, me dhunë fizike dhe plaçkitje. Burime zyrtare pranë policisë thanë se specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe të Shkatërrimit të Pronës, kanë pranuar kallëzimin e deponuar nga qytetari i dëmtuar. Shtetasi me inicialet S.M. ka treguar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë lulishtes, i kanë vjedhur me dhunë shumë e parave prej 7 mijë lekësh. Kërkimet policore kanë qenë efektive sepse policia ka identifikuar si autor të agresionit 31-vjeçarin Armand Sefa, lindur dhe banues në Tiranë. Nga hetimet doli se Sefa, nën ushtrimin e dhunës fizike, ka arritur të grabisë qytetarin e pambrojtur dhe më tej është zhdukur në drejtim të paditur, në përpjekje për t’i shpëtuar prangave policore. Policia nuk konfirmoi arrestimin e mundshëm të të dyshuarit, por tha se dosja me hetimet ndaj tij, do t’i kalojë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”.