Plagoset me thikë te Gjuhët e Huaja, denoncon autorin
Një 21-vjeçar është plagosur pasditen e djeshme në Tiranë në rrethana të paqarta, ndërsa policia ka shpallur në kërkim një person si autor të dyshuar për ngjarjen. Pasditen e djeshme 21-vjeçari Elton Deliu është plagosur në shpatull me një goditje thike dhe është dërguar menjëherë në spital për t’u kuruar. Ngjarja ka ndodhur në mjediset pas shkollës së Gjuhëve të Huaja në Tiranë, ndërsa ka qenë vetë i plagosuri ai që ka bërë të ditur për policinë identitetin e agresorit të tij. Efektivë të komisariatit nr.1 në Tiranë thanë dje se ende nuk janë të qarta motivet e plagosjes së të riut, por shtuan se dyshimet janë për një konflikt të gjatë mes dy të rinjve në javët e fundit. Agresori është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa është marrë në pyetje dhe i plagosuri Deliu, i cili ka dhënë versionin e tij për ngjarjen e ndodhur.