E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset në studion e radios pronari 21-vjeçar

Pronari i një radioje private në qytetin
e Fierit është rrahur barbarisht
nga disa persona. Policia deklaron
se deri më tani janë identifikuar dy
autorë, të cilët janë shpallur në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00, gjatë
paradites së enjte, në lagjen "Apolonia",
ku banon familja e Petref Velçanit. Ky i fundit
dhe djali i tij, 21-vjeçari Keidi, në një
mjedis të apartamentit të tyre kanë ngritur
edhe stacionin e radios, ku drejtor është
Petref Velçani, kurse Keidi është pronar
i stacionit radiofonik. Plagosja e
Velçanit ka ndodhur gjatë kohës që i riu
ka qenë duke u çlodhur në një nga zyrat
e redaksisë. Persona të panjohur, që mendohen
se ishin 4 ose 5, kanë hyrë dhe pa
thënë asnjë fjalë kanë ushtruar dhunë
mbi 21-vjeçarin. Kanë qenë banorët e
shtëpive fqinje ata që kanë transportuar
Keidin drejt spitalit të Fierit, ndërkohë që
kanë njoftuar edhe të atin e tij, i cili ishte
duke kërkuar një takim me drejtorin e
Policisë së Qarkut Fier, pasi një ditë më
parë i biri kishte marrë paralajmërimin se
do të dhunohej. Ndërkohë që policia po
heton për zbardhjen dhe kapjen e agresorëve,
i ati i 21-vjeçarit e ka konsideruar
ngjarjen si dhunim të institucionit dhe e
lidh politikisht me fushatën elektorale.
Disa orë pas ngjarjes, policia lokale ka deklaruar
zyrtarisht se autorët e plagosjes
së kësaj ngjarjeje janë Redi Allaraj 22 vjeç,
lindur e banues në Fier, si edhe Isuf Çela
25 vjeç, lindur dhe banues në Ballsh. Policia
deklaron se po heton për motivin e
kësaj ngjarjeje, ndërsa burime të tjera nga
grupi i hetimit thonë për "Shqip" se po hetohet
në dy pista: një është ajo e plagosjes
për shkak të emisionit të të atit dhe tjetra
lidhet me faktin se Keidi Velçani përdor
për argëtim numrat e telefonit të shumë
vajzave, të cilat telefonojnë për t‘u bërë
pjesë e emisioneve të radios.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›