E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset rëndë punëtori i autostradës Durrës - Kukës

Aksidenti

Një moment pakujdesie i ka kushtuar shtrenjtë një punëtori të autostradës Durrës-Kukës. 26-vjeçari është përshirë nga rripi i transmisionit në makinerinë që thyente gurë. Ai ka pësuar fraktura në kokë dhe gjymtyrë, gjë që ka detyruar mjekët ta dërgojnë me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për trajtim më të specializuar. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në segmentin Fushë-Dukagjin - Kolsh, në autostradën Durrës - Kukës. Burime të policisë lokale thanë për gazetën “Shqip” se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në Fushë-Dukagjin dhe i plagosur ka mbetur punëtori Rustem Saraçi, 26 vjeç, nga fshati Kryemadh i Komunës Malzi të Kukësit.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit tregojnë se për ngjarjen në fjalë është ngritur një grup hetimor. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe nga informacionet e siguruara mendohet se ngjarja ka qenë aksidentale. Saraçi punonte prej disa kohësh në atë front pune, të cilin siç thanë disa shokë të tij, e njihte mirë dhe vetëm një moment hutimi ka bërë që ai të përfshihej nga rripi i transmisionit. Disa punëtorë që kanë qenë në të njëjtin front pune kanë shkëputur menjëherë rrymën elektrike dhe kanë nxjerrë nga makineria shokun e plagosur. “E shkëputëm shpejt rrymën, sepse nga ai nuk do të mbetej asgjë po të futej në makineri”, tha një punëtor, bashkëfshatar me Saraçin dhe me të cilin punon që prej një viti. Në momentin e aksidentimit të 26-vjeçarit në segmentin Fushë – Dukagjin-Kolsh është ndërprerë puna për disa orë. Ky është segmenti i fundit dhe më i vështiri i pjesës Kalimash-Morin të autostradës dhe pritet të përfundojë së ndërtuari në vjeshtën e këtij viti. Kjo pjesë me gjatësi 5.5 km është cilësuar si pjesa më e vështirë e krejt segmentit nga Kalimashi në Morinë, për shkak të terrenit shumë të pjerrët dhe ku ndodhen urat e gjata deri në 1300 metra.
Aksidentet në punë në këtë pjesë të rrugës kanë qenë të shpeshta. Kujtojmë se në nëntor të vitit 2009 në një prej urave të këtij segmenti vdiqën dy punëtorë: 38-vjeçari Arben Muçmata nga fshati Shtiqen i Kukësit, baba i tre fëmijëve dhe Vanço Cvetkov 49 vjeç nga Maqedonia, edhe ky i martuar dhe me fëmijë. Gjithashtu, në fillim në prillit të këtij viti, një punëtor tjetër humbi jetën në një nga urat e këtij segmenti. Në autostradën Rrëshen - Morin që nga fillimi i ndërtimit të saj kanë humbur jetën 5 punëtorë, mes të cilëve një vinçier turk i tunelit të Kalimashit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›