Ujësjellësi, “molla e sherrit” mes dy kandidatëve
KUKËS Dy kandidatët për kreun e Bashkisë së Kukësit kanë replikuar për herë të parë në këtë fushatë elektorale, pikërisht në rrugë dhe për rrugët. Ka qenë kandidati i Partisë Socialiste, ai që ka ngjall debat në rrugë për shkak se prej dy javësh ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugëve kryesore në Kukës. “Ky investim po bëhet mbi një investim qeveritar për ujësjellësin, dhe ne duhet të dimë sa garanton i tanishmi, që nuk do të prishet përsëri, sa janë të garantuara paratë e këtij komuniteti për këtë investim sepse ne nuk dimë, nuk ka asnjë tabelë që të tregojë vlerën e këtij investimi, kush është projektuesi, çfarë projekti kanë supervizorët, sa është vlera e investimit. I them ish- kryetarit të bashkisë, që për një herë të vetme të bëjë transparente investimin që po kryen bashkia sepse është qartë që ky është një investim elektoral, sepse ai nuk e ka bërë këtë përpara se të dalë për kandidat”, tha kandidati i PS në Bashkinë Kukës, Alfred Cengu. Nga ana tjetër, ka reaguar menjëherë edhe kandidati i PD Hasan Halilaj, i cili u shpreh se çdo gjë është transparente në Bashkinë e Kukësit. “Unë di të punoj dhe nuk flas shumë, qytetarët e Kukësit janë të bindur në punën time“, ka deklaruar kandidati i PD-së për bashkinë e qytetit, Hasan Halilaj. Më tej, kandidati Halili shtoi se do të mbajë të gjitha premtimet që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së banorëve të qytetit dhe se çdo investim i bërë është transparent, dhe se çdo kush mund t’u drejtohet institucioneve përkatëse për këtë transparencë”, ka thënë Halilaj. Pjesë e replikave u bë edhe kryetar i PS së rrethit, Ylber Duraku, i cili tha se “Partia socialiste, që ka në themel të saj interesat e qytetarëve dhe si e vetmja rrugë që ka në themel të saj transparencën me publikun, e ndjen të nevojshme të sqarojmë lidhur me investimin elektorale të radhës nga kryetari në ikje i Bashkisë së Kukësit, është në detyrën tonë të informojmë publikun se çdo investim që kryhet në territorin e bashkisë duhet të shpallet publikisht, por siç po e shohim nuk ka asnjë shpallje. Duke u realizuar transparenca për këtë investim publik, shtrojmë pyetjet se në cilin buletin është shpallur emri i fituesit, investitori, prokurimi dhe kontrata përfundimtare me subjektin fitues, a është marrë lejë mjedisore për këto punime, etj. Duke qenë se këtu punime kryen mbi një pjesë të rrjetit të ujësjellësit, shtrojmë pyetjen a është përfunduar ujësjellësi dhe a është marrë dorëzim nga ana e bashkisë. Kryetari në ikje shohim se ka logon për një qytet bashkëkohor, por nga premtimet e vitit 2007, as 20% nuk ka realizuar, kur ka një vit që qytetin e mbulon pluhuri dhe asfalti elektoral shtrohet e mbas një muaji del, çfarë qyteti bashkëkohor është ky...” tha Duraku.