E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja te ish-blloku sot masa e sigurisë për djalin e Dades

TIRANE-  Gjykata e Tiranës pritet të japë sot vlerësimin e masës së sigurisë për Besnik Dabullën, djalin e deputetes Arta Dade.

Ai akuzohet për "armëmbajtje pa leje" dhe "plagosje të rëndë". Mbrëmjen e së mërkurës Dabulla akuzohet se ka plagosur shokun e tij Endri Lufi, në dalje të lokalit, që ai ishte bashkëpronar, në zonën e ish-bllokut në Tiranë.
Ndalimi i Dabullës u krye po atë natë në dalje të spitalit, ku i riu kishte shkuar për të dorëzuar për mjekim Lufin, djalin e vajzës së ish Adil Carcanit.

Sipas policisë ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti mes këtyre dy personave si dhe një të treti, që ishte Shkëlzen Hoxha, nip i ish-diktatorit, Enver Hoxha. Ky i fundit më vonë me anë të një alibie publike hodhi poshtë të qënurit e tij në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi plagosja.

Ndërkohë "Gazeta Shqiptare" shkruan sot se ende nuk është gjetur arma me të cilën u krye plagosja e Edrin Lufit, ndërsa është administruar nga ekspertët e hetimit gëzhoja. Policia, po ashtu dhe prokuroria kërkojnë të depozitojnë armën, pasi është një nga elementet që do të sqarojë jo vetëm pozicionin e Dabullës në ngjarje, por madje edhe do të përjashtonte armën nga ndonjë dyshim i mundshëm i grupit të hetimit në lidhje me përdorimin e saj në ndonjë ngjarje tjetër.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›