Plan per vrasjen e Putin

Shërbimet Sekrete të Ukrainës konfirmuan ditën e hënë se kanë neutralizuar një plan për vrasjen e Kryeministrit Rus, Vladimir Putin. Lajmin e bëri të ditur agjensia ruse “Ria Novosti”, e cila citoi burime “të sigurta” brenda inteligjencës ukrainase. Dy të dyshuar u vendosën në pranga në qytetin port të Odesës. Të dy u shfaqën në një sekuencë të shkurtër televizive në televizionet ruse, në të cilën pranonin akuzat e ngritura ndaj tyre. Njëri prej atentatorëve, i identifikuar si Ilya Pyanzin, pranoi se ishte paguar nga lideri i militantëve çeçenë, Doku Umarov, për të realizuar planin. I arrestuari i dytë quhet Adam Osmayev, në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2007.
Sulmi ishte planifikuar të ndodhte një javë pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës, ku Putin pritet të fitojë zgjedhjet e të marrë një mandat të tretë si President i vendit.
Atentatorët synonin të vendosnin disa bomba në bulevardin Kutuzovski në Moskë, në të cilin Putin kalon çdo ditë gjatë rrugës nga banesa e tij në zyrë. Më pas, nëpërmjet një telekomande ata do të realizonin shpërthimin në momentin e kalimit të 59-vjeçarit.
Sipas raporteve, detajet e komplotit u gjetën në laptopin e të akuzuarit në banesën e tij, së bashku me një video që tregon autokolonën e zotit Putin.