E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planet e Del Nerit

Luigi Del Neri e ka dhënë intervistën e parë si trajner i Juventusit, pasi zëvendësoi trajnerin e deritashëm Alberto Zaccheroni. Trajneri italian, pasi ia siguroi Ligën e Kampionëve Sampdorias, dha dorëheqje nga ky ekip për t’u transferuar menjëherë tek klubi Bianconer.

“Duhet ta rikthejmë besueshmërinë në sytë e tifozëve. Në një klub si Juventus je i detyruar të arrish objektiva të mëdhenj. Do ta ndaj fushën në 11 sektorë dhe dëshiroj një Juventus me 11 specialistë për secilën zonë. Lojtarët e krahut janë vendimtarë. Në futboll nuk fitohet duke ndërruar modulin, por falë organizimit, mentalitetit fitues dhe kualitetit”, tha ish trajneri i Atalantas.

Del Neri shpjegoi se do të mundohet ta bind portierin legjendar Gigi Buffon për të mbetur në Juventus, ndërsa për Del Pieron tha se është një simbol i këtij klubi. Ai ndihet i privilegjuar dhe i nderuar që do ta drejtojë një skuadër si Juventus, që i ka fituar të gjitha në të kaluarën.

Sa i përket strategjisë së përforcimeve, e përditshmja Tuttosport shkruan se Angelo Palombo është ‘dhurata’ e parë për Del Nerin. Për të arritur deri tek mesfushori i Sampdorias, Juve mund t’i ofrojë në shkëmbim si huazim futbollistët Almiron e Poulsen, plus para. Po ashtu, për krah të majtë përmenden futbollistët Ziegler ose Kolarov, ndërsa duhet përmendur edhe lojtarët e krahut të djathtë Cassani e Pepe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›