E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani urbanistik i Bashës për Tiranën

28/04/2011  Kandidati për kryebashkiak prezanton projektin e tij mes arkitektëve dhe urbanistëve

Kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, prezantoi dje para një paneli arkitektësh dhe urbanistësh platformën e tij për zhvillimin urban të kryeqytetit, ku në qendër të investimeve të mëdha infrastrukturore qëndron respekti për pronën private. Ai tha se hartimin dhe paraqitjen e tij për planin urbanistik për Tiranën do ta realizojë jo më vonë se shkurti i vitit 2012, i cili do të ngërthejë interesat e zhvillimit që nga individi më i thjeshtë deri tek interesat e zhvillimit të korporatave të mëdha të Tiranës. Për miratimin e këtij plani kandidati i PD-së premton marrjen e mendimit të të gjithë qytetarëve të kryeqytetit. “Bashkëvendimmarrje, e cila në optikën time nuk ka pse të mos marrë edhe formën e një referendumi qytetar për planin e përfunduar sipas kritereve, parimeve bazë që sot udhëheqin plane të tilla në të gjithë Evropën. Me pjesëmarrjen e plotë deri në këtë fazë të të gjithë ekspertëve, duke përfshirë, pedagogë, studentë, edhe mendimin tuaj në çdo fazë të hartimit. Në këtë plan ne do të bëjmë realitet Tiranën evropiane, që nis nga pragu i derës së çdo qytetari”, - tha Basha. Duke e detajuar më tej platformën e tij, ai tha se plani parashikon që çdo lagje apo zonë e Tiranës do të ketë mundësinë të ketë qendrën e vet qytetare, përfshirë shkolla, kopshte dhe çerdhe. “Që të bëjmë këtë, ne patjetër duhet të nisim menjëherë punën për infrastrukturën e munguar, unazën e madhe, si një domosdoshmëri për ndërlidhjen brenda qytetit të Tiranës, për të reduktuar trafikun, për të reduktuar koston e tij, karburantin, kohën e humbur, oportunitetet e humbura nga personat, mallrat dhe shërbimet. Paralelisht në unazën e madhe do të nisë puna për të gjithë sistemin kapilar të rrugëve, rrugët kryesore, rrugët sekondare, vendparkimet, rrjetin këmbësor, apo biçikletave, por dhe rrjetin e transportit publik të Tiranës”, - vijoi Basha, duke përsëritur planin për ndërtimin e tramvajit në aksin Kinostudio–Kombinat, prioritet i programit të tij që në vitin e parë. Pas kësaj kandidati parashikon edhe ndërtimin e linjës Bregu i Lumit–Selitë. “Dy janë parimet kryesore: respekt i plotë për pronën private dhe së dyti rifitimi i hapësirave publike, në mënyrë që të mos kemi më pallate ngjitur me njëri tjetrin, dhe hapësira të gjelbra që zhduken. Dy do të jenë parimet e trajtimit të pronës private: shpronësim me vlerë e tregut për ndërtimet e mëdha infrastrukturorem siç është unaza e madhe dhe e dyta formula e transformimit të së drejtës së zhvillimit në hapësira të reja, që do të krijohen ose brenda quartaleve, ose në arteriet e reja të zhvillimit që ne propozojmë, siç janë ato përgjatë lumit të Tiranës apo në aksin e ri nga stacioni aktual i trenit te Bregu i Lumit”, - nënvizoi Basha. Po dje, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, Basha ka shprehur angazhimin e tij për ngritjen e një parku për biznesin fason, ku përveçse do të prodhohet, edhe do të ekspozohen dhe shiten prodhimet shqiptare.

Kryeministri prezanton kandidatët e 8 majit në Kukës, Mirditë e Krumë

Berisha: Me sakrificë ndërtuam rrugën e kombit

Kreu i qeverisë premtoi shumëfishimin e investimeve në gjithë Shqipërinë

Kryeministri Berisha vijoi dje turin e tij elektoral në qytetin e Kukësit për të shprehur mbështetjen ndaj kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie, Hasan Halili. Në fjalën e mbajtur atje kreu i qeverisë përmendi edhe arritjen më të madhe të qeverisë për këtë qytet: ndërtimin e rrugës Durrës–Kukës. “Vitet e fundit ne së bashku ia dolëm me mund, me djersë dhe sakrificë të ndërtojmë rrugën e kombit, veprën më të madhe të shqiptarëve të të gjitha kohërave. Ne ia dolëm të ndërtojmë korridorin e kombit, por dhe të dyfishojmë pensionet, të mbidyfishojmë rrogat, të dyfishojmë ndihmën ekonomike. Ne jemi gratë dhe burrat e suksesit, djemtë dhe vajzat e suksesit”, - theksoi Berisha në fjalën e tij. Ai përmendi edhe arritjet e tjera të suksesshme të qeverisë shqiptare gjatë këtyre viteve, mes të tjerave edhe anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. “Në rrugën tonë të lirisë këta 20 vjet askush, asnjë komb tjetër nuk është ngritur si vigan nga hiri e të ketë shënuar rezultatet që kemi shënuar ne. Ne mblidhemi sot në këtë shesh si burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që Shqipërinë e falimentuar, Shqipërinë e shkëputur nga bota, vendin më të izoluar e ngritëm më këmbë, e bëmë vend anëtarë të NATO-s, sot lëvizim të lirë në mbarë Evropën”, - tha shefi i ekzekutivit, Berisha. Ai premtoi se do të shtohen investimet në qytetin dhe qarkun e Kukësit si në infrastrukturë, ashtu dhe në ujësjellës, kanalizime dhe sistemin vaditës. Numri një i qeverisë premtoi sigurimin pas katër vjetësh, furnizimin me ujë të pijshëm të çdo familje të Kukësit dhe të mbarë Shqipërisë. Kryeministri vlerësoi kandidaturën e Halilit dhe u kërkoi banorëve të Kukësit që ta rivotojnë atë me 8 maj për të përfunduar në këtë mënyrë projektet dhe ëndrrën e nisur së bashku.

Fushatë në Kashar

Idrizi: Votoni PDIU-në, ka mbrojtur interesat e kombit

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi kërkoi nga Kashari votën e të gjithë shqiptarëve, si një barrierë për të parandaluar çdo veprim antikombëtar që tentohet të ndërmerret. Duke prezantuar kandidatët për anëtar të këshillit të kësaj komune, ai tha se ka ardhur koha që në zgjedhjet e 8 majit të votohet për partinë që ka mbrojtur interesat e kombit shqiptar sa herë që ato janë cenuar, në mënyrë që edhe pushteti lokal të drejtohet me frymën e patriotizmit. “Kemi treguar gjatë gjithë kësaj kohe se jemi partia e çështjes kombëtare, sepse ne i kemi thënë ‘jo’ marrëveshjes së ujërave, raportit të Dik Martit, konsullit provokator grek dhe do të vazhdojmë t’i themi ‘jo’ çdo provokimi antishqiptar. Pushteti lokal duhet të drejtohet me të njëjtën frymë, me frymën e patriotizmit”, - tha Idrizi. Ndërsa kryetari i nderit i kësaj partie, Tahir Muhedini, kërkoi votën e të gjithë banorëve të Kasharit, duke theksuar se PDIU-ja e ka treguar se është partia e çështjes kombëtare. Sipas tij, sa më e fortë të dalë PDIU-ja pas këtyre zgjedhjeve, aq më shumë do t’i afrohet objektivit të saj: zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së vlerave dhe identitetit shqiptar.

Takimi me mësuesit

Xhaferri premton përmirësimin e cilësisë së arsimit

Kandidati për kryebashkiak të Durrësit, Ferdinand Xhaferri, mori pjesë në një takim të organizuar me komunitetin e arsimit në qytet, në bashkëpunim edhe me drejtorinë arsimore rajonale të Durrësit. I konceptuar në formën e një bashkëbisedimi, u evidentuan nga 250 arsimtarë nga shkolla të ndryshme arsimtarët, problematika dhe shqetësime të ndryshme. Mungesa e ambienteve të rregullta të klasave, ambienteve sportive dhe tualeteve, gjendja e keqe e disa prej godinave të shkollave, mungesa e bibliotekave, e motivimit për arritjet e nxënësve ishin disa prej problematikave që arsimtarët ngritën në bashkëbisedimin e organizuar me kandidatin Xhaferri. Në përgjigje të shqetësimeve të arsimtarëve, kandidati për Bashkinë e Durrësit tha se përmirësimi i infrastrukturës së godinave do të ishte hapi i parë, ndërkohë që do të bëhej e mundur edhe financimi i projekteve për aktivitete të ndryshme, do të jepen bursa për nxënësit më të mirë dhe në shërbim të rritjes së cilësisë së arsimit do të kryhen edhe binjakëzime me qytete të ndryshme jashtë Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›