E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani urbanistik, italianët prezantojnë detajet

17/12/2008  Komplekse moderne pranë ligatinave, parqe ujore, lulishte dhe port turistik

SHKODER- Projekti i shumëpritur i planit të përgjithshëm rregullues të qytetit të Shkodrës ka filluar të marrë jetë vetëm pas rreth dy javëve nga nënshkrimi i kontratës së nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Transporteve dhe firmës “IDEA-SRL”, fituese e tenderit për realizimin e këtij plani. Sinjalet pozitive të një plani rregullues, jo vetëm bashkëkohor, por edhe me tendenca të zhvillimit të kryeqendrës së veriut të vendit tonë, janë dhënë dje gjatë prezantimit të fazës së parë të projektit.

Prezantimi

Grupi i punës i përbërë nga arkitektë të Universitetit të Firences dhe të degës së Arkitekturës së Universitetit të Tiranës kanë prezantuar fazën e parë të hartimit të këtij studimi në Bashkinë e Shkodrës. Që në fillim të prezantimit ra në sy tendenca e hartuesve të projektit për shtrirjen dhe njëkohësisht zhvillimin e qytetit të Shkodrës drejt liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në këtë zonë ishin parashikuar të ngrihen komplekse bashkëkohore zhvillimi pranë ligatinave në hyrje të qytetit. Projekti paraqiste ndërtimin paralel me liqenin e Shkodrës të një By-Pass-i që i jepte përparësi sidomos sistemimit dhe shtimit të sipërfaqeve të gjelbra, ndërkohë që ndërtimi i një porti turistik me skafe dhe jahte, pranë rrugës së molos së dikurshme do të ndikonte në thithjen e sa më shumë turistëve, që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të zonës, pa harruar dhe krijimin e një pamjeje mjaft tërheqëse si për banorët ashtu dhe për vizitorët si vendas ashtu dhe të huaj. Projekti vijonte me përmirësimin e akseve rrugore të zonës si dhe ndërtimin e një qendre të madhe dhe moderne për koncerte. Një vëmendje e veçantë ishte treguar nga arkitektët italianë dhe shqiptarë në zonën e kodrave të lagjes “Liria” në hyrje të qytetit, poshtë kalasë “Rozafa”. Në këtë zonë parashikohet një sistemim rrënjësor i lulishtes që ndodhet poshtë saj, pasi në këtë mënyrë krijohej një kompleks i mrekullueshëm panoramor dhe zhvillues përballë liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, ku do të ngrihet dhe një park ujor. Nga ana tjetër ishin konsideruar si tepër të rëndësishme dhe ndërhyrjet për restaurimin e ndërtesave në zonën historike të qytetit të Shkodrës. Në zonën e Shirokë-Zogajt arkitektët kishin parashikuar ndërhyrje me synim zhvillimin e shpejtë të turizmit bashkëkohor me ndërtesa të përshtatshme familjare të gërshetuara këto me sipërfaqe rekreative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›