E Diel, 1 Nëntor 2026

“Turizmi i krizës”, 10 vendet më të lira ku mund të shkoni për pushime



Kriza globale ekonomike ka prekur këtë verë edhe industrinë e turizmit në mbarë botën, ku si pasojë e kësaj situate të gjithë vendet që janë potenciale turistike, pritet të përballen me një reduktim të numrit të vizitorëve. Kësaj situate shumë vende dhe organizma që merren me turizmin dhe promovimin e tij, i kanë paraprirë duke marrë masa specifike si shtimin e spoteve publicitare dhe reklamave, ofrimin e kushteve dhe shërbimeve ekstra për të tërhequr sa më shumë turistë, si dhe mbi të gjitha në reduktimin e çmimeve si për paketat turistike ashtu dhe për udhëtimet. Një gjë të tillë ka bërë pak ditë më parë edhe Organizata Botërore e Turizmit, e cila në një raport të sajin ka renditur “top-listën” e 10 vendeve më të lira në botë për të kaluar pushimet verore. Ajo çka ishte interesante dhe vihej re në këtë raport ishte se Shqipëria, edhe pse po përpiqet që të promovojë një turizëm jo elitar dhe jo të kushtueshëm, renditej nga Organizata e 11 në listën e mbi 80 vendeve. Sipas raportit, “këtë verë turistët nga e gjithë bota po kërkojnë plazhe mahnitëse, aktivitete pa fund por duke kënaqur edhe xhepin”. Sipas këtij raporti interesant, nëse jeni duke kërkuar një vend të tillë, ku pushimet e këndshme të kombinohen me çmimet e lira, sugjerohet kjo listë. Këto vende, të cilat klasifikohet si të lira, ofrojnë një mori aktivitetesh e, mbi të gjitha, kanë plazhe fantastike. Nga vendi i diellit në Meksikë e deri te verërat e mrekullueshme në Kili, këto 10 vende vlejnë çdo qindarkë të shpenzuar. E para në listë vjen Turqia. Nga arkitektura klasike e deri te kultura e kuzhinës, ky vend ka shumë gjëra për t’u ofruar turistëve. Falë këmbimit të dollarit me 1,260,400 lira të reja turke, turistët mund të përfitojnë akoma më shumë. Më pas, vijon Tajlanda. Meksika është një vend tjetër i përshtatshëm për pushime të lira e të mira. Sigurisht që dhe këto vende duan shpenzime, por duke pasur parasysh bukuritë e plazheve që ato ofrojnë, paratë e shpenzuara janë shumë herë më pak se në shumë vende të tjera.

Turqia
Nga arkitektura klasike e deri te kultura e kuzhinës, ky vend ka shumë gjëra për t’u ofruar turistëve. Falë këmbimit të dollarit me 1,260,400 lira të reja turke, turistët mund të përfitojnë akoma më shumë. Vizitoni qytetin e Stambollit, ku mund të blini në pazarin e madh. Në kafenetë dhe restorantet e tij mund të konsumoni qebap, të pini duhan me nargjile dhe ta mbyllni me një kafe të fortë turke.

Tajlanda
Dëshironi të kërceni çdo vit, si të ishte viti 1999? Atëherë shkoni në Tajlandë. Plus kësaj, ju mund të udhëtoni shumë lirë atje. Një dollar amerikan këmbehet për 32 baht tajlandezë. Ndaluni në Bangkok, për të provuar ritmin e shpejtë të qytetit, e më pas vizitoni Patajan, një qytet mëkati i rinovuar dhe i mbushur me pamje të çmendura. Për sa u përket plazheve ekzotike, Tajlanda është vendi i përshtatshëm që mund të vizitoni, pa pasur nevojë të shisni shtëpinë.

Meksika
Me një masë tokësore, që shtrihet nga oqeani Atlantik e deri në Paqësor, e një kryeqytet gjigant, Meksika ofron aktivitete pa fund. Dëshironi të merrni rreze dielli? Në këtë vend mund të gjeni plazh kudo. Nëse ju pëlqejnë festat, atëherë vizitoni Akapulkon, Kankunin apo Tijuanën. Nëse u pëlqen historia, atëherë vizitoni rrënojat e fiseve maja në gadishullin Jukatan. Një dollar amerikan këmbehet me 10 pesos.

Estonia
Kultura e madhe e teknologjisë së lartë në këtë vend i ka dhënë nofkën “E-stonia”. Kjo do të thotë se në këtë vend ju s’do të keni aspak probleme, për të pasur lidhje me Internetin. Gjithashtu, Talini, kryeqyteti i vendit, konsiderohet si një prej vendeve me festat më të çmendura në rajon. Vetëm mos harroni që të vizitoni në verë Festivalin e Muzikës dhe Birrës. Pjesa më e interesante është se një dollar këmbehet me 10 krona estone.

Kili
Diversiteti dhe thellësia e vendeve turistike, aktiviteteve dhe kulturës së këtij vendi janë të jashtëzakonshme. Ky vend mund të përzgjidhet nga ata që janë të marrosur pas verërave. Në këtë vend mund të provoni verë nga disa prej vreshtave më të mira të botës. Por jo vetëm kaq. Këtu mund të gjeni valët më të përshtatshme për sportin e sërfit. Ndërkohë, nëse ju pëlqejnë sportet në borë, mund të shkoni në Ande. Ëmbëlsira për në fund: një dollar amerikan këmbehet me 467 pesos kilianë.

Vietnami
Aktualisht, një dollar amerikan këmbehet me 16 mijë dong vietnamezë. Kjo do të thotë se ky vend ka mundësi të ofrojë çmime të mira. Në kryeqytetin Hanoi ju mund të vizitoni muzetë e shumta të artit dhe ato historike. Mos harroni të vizitoni qytetin “Ho-chi-Minh” (ish Saigoni), ku zhvillohet jeta e natës më aktive. Vende të tjera për t’u vizituar janë plazhet në Nha Trang. Sidoqoftë, në Vietnam mund të gjeni vende pa fund për të vizituar.

Afrika e Jugut
Nëse dëshironi të shihni peshkaqenë të bardhë, një tufë luanësh nga afër, apo buaj uji, të pini verë në një vresht të klasit botëror, apo të vini baste në kazino e më pas të bëni sërf në valët më të mira që ekzistojnë në botë, Afrika e Jugut është vendi më i përshtatshëm. Pak vende në botë kanë një itinerar të tillë turistik, aq më tepër, me çmime të lira. Aktualisht, një dollar amerikan është 7,5 rands afrikano-jugorë.

Ekuador
Falë ishujve Galapagos, pjesëve të Amazonës dhe Andeve, ky vend ofron biodiversitetin më të madh në botë. Me një dollar amerikan, që këmbët me 25 mijë sukre ekuadoriane, ju mund ta shijoni këtë diversitet me një buxhet që s’ju rëndon dhe aq. Ju mund të vizitoni Kuiton, ku gjenden dhe muzetë, si dhe të vizitoni Banos, ku mund të praktikoni një mori sportesh të ndryshme. Gjithashtu, mund të bëni plazh në Esmeraldas, një qytet bregdetar që ka një prej plazheve më të famshme të vendit.

Filipine
Këtu mund të gjeni plazhet që shihni në kartolina, me rërë të bardhë dhe ujë të kaltër. Pjesa më e mirë është se 1 dollar amerikan këmbehet me 42 pesos filipinase. Jo vetëm që mund të jetoni më së miri si turistë, por mund të qëndroni për një kohë të gjatë. Ju mund të vizitoni ishullin e Boholit, për të parë balenat dhe delfinët, si dhe të bëni plazh sërish në rërën e bardhë e të pastër.

Honduras
Ky vend njihet për zhytjet në ujë në ishullin Roatan. Përveç kësaj, në Honduras mund të gjeni një mori vendesh turistike. Një prej vendeve më të njohura është “Rio Platano Biosphere Reserve”, e klasifikuar si trashëgimi botërore. Aty gjenden disa prej specieve më të rralla e më të rrezikuara të botës. Gjithashtu, ju mund të vizitoni shumë vende peshkimi dhe t’i kapni vetë peshqit që gatuani. Një dollar amerikan këmbehet me 19 lempira hondurase.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›