E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma e Blushit, "me forcë" në Kongres

Paketa "Blushi" për ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste nuk do të ndalojë rrugën. Pas rrëzimit në Kryesi, dy ditë më parë, mbështetësit e saj janë të vendosur t‘ia paraqesin Kongresit ditën e shtunë. Grupi nismëtar i ndryshimeve u mblodh dje në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, në zyrën e grupit parlamentar, nga ku projektoi edhe strategjinë. Deputeti Ben Blushi konfirmoi dje këtë qëndrim teksa tha se do jetë në dorën e Kongresit "fati" i projektit për ndryshime në statut. Sakaq, moskandidimin e tij për postin e kryetarit ai e motivoi me situatën e krijuar në Partinë Socialiste ku, sipas tij, kreu Edi Rama është duke mbajtur një qëndrim në dëm të demokracisë së brendshme në PS. Ai hodhi kritika për faktin se Kryesia e PS-së nuk arriti të marrë parasysh paketën e ndryshimeve në statut, si fenomen për decentralizimin e pushtetit të kryetarit duke u dhënë më tepër mundësi forumeve dhe bazës. Lidhur me mandatin e kryetarit të PS-së, deputeti Blushi theksoi se "është e përcaktuar që kryetari që humb zgjedhjet, humb edhe të drejtën e rikandidimit. Statuti i krijon Edi Ramës mundësinë për të mos kandiduar. Edi Rama ka humbur zgjedhjet dhe e gjithë Shqipëria e di se ky është një humbës dhe më vjen keq të them që PS t‘i japë një mandat shtesë atij që ka humbur zgjedhjet". Dhe nga ana tjetër, tha ai, më vjen keq të shtoj se PS nuk vendoset në periferi të shoqërisë, t‘i japë mundësi një humbësi të rikandidojë. Sakaq, në prag të mbledhjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së, një grup bashkëthemeluesish të Partisë Socialiste, kryetarë partie, deputetë, kryetarë bashkie dhe komunash, ju drejtojnë një apel publik qytetarëve shqiptarë që më 28 qershor 2009 votuan për alternativën e majtë, anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së. Ata vlerësojnë se vazhdimi i drejtimit të PS-së nga Rama mund të çojë në eksperimente të tjera të dhimbshme për popullin e majtë, në dështime politike të njëpasnjëshme dhe në humbje të reja elektorale. Sipas tyre, kryetari në detyrë i PS-së është pjesë e historisë politike të kësaj partie dhe çfarëdo përfshirje e tij e drejtpërdrejtë në zhvillimet e ardhshme politike dhe institucionale të partisë rrezikon përçarje të reja në gjirin e saj. "Vazhdimi i drejtimit të PS-së nga Rama do të thellonte më tej frymën autoritariste, do të lehtësonte ndërhyrjet e grupeve të interesit në vendimmarrjet më të rëndësishme të kësaj force politike, etj.", thuhet në letrën e hapur drejtuar Kongresit. Vlerësohet se humbja e 28 qershorit për PS-në dëshmoi jo vetëm mungesën e vizionit strategjik të kryetarit Rama në qeverisjen e PS-së, por edhe mungesën e vizionit politik të tij në ndërtimin e aleancave zgjedhore, duke u vetëshpallur misionar i fitores, i vetëm, pa lidership, pa program dhe pa ekip. Ata i bëjnë thirrje Kongresit të zbatojë me rigorozitet dhe pa kushte statutin e PS-së që parashikon ndërprerjen automatikisht të mandatit të kryetarit në detyrë dhe mosrikandidimin e tij. Një tjetër sugjerim është hapja e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri sipas përcaktimeve statutore të paraprihet nga analizat përkatëse politike dhe organizative në të gjitha nivelet elektorale të PS-së dhe në forumet drejtuese të saj (në detyrë). Letra është firmosur nga 37 ish-funksionarë socialistë mes të cilëve: Agron Tato, Arbër Qilimi, Ardian Myslymi, Astrit Kola, Bardhyl Agasi, Bukurosh Stafa, Durim Hushi, Elida Tepelena, Flamur Hoxha, Flamur Rogu, Ilirjana Kercuku, Lekë Çukaj, Maksut Balla, Natasha Paço, Nazmi Bilani, Rajmonda Stefa, Rrapush Tola, Shpëtim Kateshi, Xhemali Xhixha, Zamira Caka, Zihni Beqiri, Viktor Doda, Agron Duka, Zef Preçi, Bashkim Habilaj, Kole Malaj, Krenar Suku, Artur Kurti, Ismail Demi, Nikollaq Mata, Ramiz Palluqi, Ilir Kokona, Isuf Baku, Leonard Goga, Neki Hyska, Pandeli Sara dhe Shkëlzen Gjoka.

Rezultati

Islami-Gjika, akuza të

ndërsjella brenda PS

Situata paszgjedhore në Partinë Socialiste ka nxitur luftën brenda "llojit" për gjetjen e shkaqeve që lanë partinë sërish në opozitë. Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, lëshoi dje akuza të rënda ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, duke e etiketuar këtë të fundit si të përfshirë në afera korruptive, të cilat e kanë shtyrë që të ndihmojë në vjedhjen e votave nga kandidatë të PD-së në Vlorë. Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Vlorës, Gjika, e ka akuzuar Islamin si përgjegjësin kryesor të humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste, madje duke e cilësuar edhe Kryekriminelin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Në mes të socialistëve tashmë kanë plasur akuza për korrupsion dhe shitje votash. "Kryetarë të bashkive socialiste, së pari, për fat të keq, kanë probleme me drejtësinë; e dyta, nuk kanë realizuar objektivin elektoral; e treta, në Vlorë gjëmon lajmi jo vetëm midis socialistëve, por midis gjithë popullit të Vlorës që kryetari i bashkisë bashkëpunon ngushtë me ish-deputetë të PD në ndërtimet që bëhen në Vlorë. E fundit, një nga arsyet e mosrealizimit të këtyre objektivave është fakti që ky kryetar ka shitur në favor të një kandidati në pozicionin 4 të PD votat e PS meqenëse janë bashkëpunëtorë dhe në ekipin e futbollit të Vlorës" thotë Islami. Akuzat mes Gjikës dhe Islamit janë të parat në këtë situatë dhe frymëzohen nga ndarja mes socialistëve për faktin nëse Edi Rama duhet të rikandidojë apo jo për kryetar i Partisë Socialiste.

Harasani:

"Kongresi i mbyllur, kthim

si në Partinë e Punës"

Deputeti i PS-së, Andis Harasani, shprehu dje keqardhje për tërheqjen e kandidaturës së Ben Blushit nga gara për kreun e partisë, teksa tha se do të votojë për Arben Malajn. Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe anëtar kryesie i kësaj partie, thekson se Kongresi i Jashtëzakonshëm duhet të zhvillohej në praninë e kamerave dhe se askush nuk duhet të ketë frikë nga ato. "Po kthehemi në kohën komuniste të Partisë së Punës. Ajo që është e pakuptueshme për shumë socialistë është frika nga

kamerat", thotë Harasani. Sipas tij, "nëse ka njeri që ka përdorur kamerat për të krijuar investim politik, qytetar kulturor është zoti Rama dhe që ai të dalë kundër kamerave më duket e pakuptueshme". Deputeti Harasani mbështet vendimin e Ben Blushit për të mos kandiduar për postin e kryetarit, pasi, sipas të gjitha gjasave, kjo garë nuk do jetë pozitive. "Më vjen keq që një kandidaturë si Blushi të tërhiqet nga gara, por e mbështes atë mendim, pasi po konstatohet ajo që kishim frikë se gara nuk do jetë legjitime", u shpreh Harasani. Lidhur me kandidimin e Malajt, deputeti Harasani shprehet se "dorëheqja, kandidimi, rikandimimi, janë thjesht çështje personale. Ne të gjithë bëjmë zgjedhje personale. Nëse Malaj do kandidojë për kryetar, atëherë do votoj për të".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›