E Diel, 1 Nëntor 2026

Platini: OK blerjes së aksioneve të klubeve nga tifozët

Presidenti i UEFA-s Michel Platini ka mbështetur fuqishëm blerjen e aksioneve të klubeve nga tifozët, sepse kjo i jep futbollit një identitet lokal. Platini vlerësoi mbi të gjitha sistemin spanjoll ku klubet, përfshirë edhe ato më të rëndësishmet janë pronë e një grupi tifozësh të njohur si ortakë.

"Sot kemi klube ku presidenti nuk është i kombësisë së vendit, trajneri nuk është gjithashtu dhe asnjë nga lojtarët nuk janë nga ai vend. Kështu të vetmit që kanë një lloj dashurie për klubin, për fanellën janë tifozët,'' u shpreh Platini.

Kjo politikë e Platini, duket se orientohet në forcimin e mbështetjes së tifozëve me futbollin, sepse sipas kësaj ideje ata do të kenë mundësinë edhe të marrin pjesë aktive në menaxhimin e skuadrës së zemrës.

"Tifozët qendrojnë, cdo gjë tjetër lëviz dhe ja pse personalisht jam i kësaj ideje: flas këtu jo si President i UEFA-s. Në këtë mënyrë tifozët mund të investojnë në një klub sepse ata janë të vetmit që mbrojnë klubin e tyre, që do të qendrojnë të shohin ndeshjet. Të tjerët do të largohen," përfundoi Platini.

Mbështetja e qeverisë evropiane të futbollit vjen njëkohësisht me planin e Partisë Laburiste në Angli për t’i dhënë tifozëve një fjalë më me peshë për mënyrën se si menaxhohen klubet. Sipas këtij planit të Partisë Laburiste, tifozët mund të marrin deri në 25 % të aksioneve në një klub.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›