E Diel, 1 Nëntor 2026

Platini: Pesë gjyqtarë në një ndeshje futbolli

Irgis Hysenaj
Pesë gjyqtarë për të gjykuar një ndeshje futbolli. Është kjo ideja më e fundit e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, e propozuar në kongresin e mbajtur në Zagreb të Kroacisë. Kjo është zgjidhja që Platini ofron për diskutimet e shumta dhe polemikat që dalin nga arbitrimet e gabuara Numri një i UEFA-s është një nga kundërshtarët kryesorë i idesë që në stadiume të ketë ekrane gjigante, të cilat do të ripërsërisin aksionin për t'i ardhur në ndihmë arbitrit. Francezit duket se i ka pëlqyer nisma më e fundit që do të ndërmerret në Amerikën Latine në shtetin e Kilit. Sipas kësaj ideje, dy arbitrat shtesë do të qëndrojnë brenda zonës së rreptësisë dhe detyra e tyre e vetme do të jetë të mbikëqyrin vetëm atë pjesë. Sipas Platinisë, ky pozicion do të mbahet nga gjyqtarë disi të vjetër në moshë, të cilët janë mbi 45 vjec, moshë kjo kur ata janë të detyruar që të tërhiqen nga ky profesion. "Do të ketë të reja këtë vit, vecanërisht në Kili, duke iu referuar pjesëmarrjes së dy gjyqtarëve asistentë shtesë, që do të arbitrojnë në zonën e rreptësisë", - u shpreh Platini. Numri një i UEFA-s konfirmoi se kjo metodë të gjykuari do të aplikohet në nëntor gjatë ndeshjeve të kampionatit botëror të përfaqësueseve U-21. "Unë besoj se sot tre gjykimi me tre arbitra është një metodë e vjetruar", - tha francezi, duke shtuar se "me pesë gjyqtarë në gjithmonë do të kemi dy ose tre që do të jenë afër aksionit që të shikojnë se cfarë ndodhi dhe të marrin kështu një vendim të mirë". Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për t'u dhënë fund mosmarrëveshjeve në lidhje me gjykimet. "Në këtë mënyrë shumë situata të diskutueshme që kanë të bëjnë me arbitrat do të zgjidhen lehtë", - vazhdoi numri një i UEFA-s, që kundërshton kështu propozimin tjetër të ekraneve gjigante që do të ripërsërisin aksionet në stadiume. Sipas kësaj ideje, gjyqtarët e rinj do të përfshinin ata që kanë eksperiencë të vërtetë dhe që në bazë të rregullores së FIFA-s duhet të dalin në pension në moshën 45-vjecare. Kështu, në të ardhmen me pesë arbitra në fushë, do të jetë disi më e vështirë për të parë simulime, gola të parregullt dhe diskutime për gjykime jo profesionale. Numri i lojtarëve vendas ne klube Një nga idetë e tjera të diskutuara në kongresin e UEFA-s të mbajtur në Zagreb ishte edhe numri i lojtarëve vendas që do të merrnin pjesë në një skuadër. UEFA dëshiron që ky numër të jetë gjashtë, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve të skuadrës mund të jenë me kombësi të ndryshme. Megjithatë, edhe pse ai e pranon se duhet të ketë kufizime, shton se nuk mund të dalë kundër rregullave dhe ligjeve të vendeve të Evropës. Por ai mbron idenë e tij se nëse kjo gjë aplikohet, është një mundësie mirë për të mbrojtur identitetin kombëtar të klubeve. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, u shpreh se po punohet për një projekt të tillë dhe kjo do të jetë një nga cështjet që do të diskutohen në Kongresin e FIFA-s në Sidnei të Australisë në maj. "Ne duhet që të mbrojmë identitetin kombëtar të klubeve. Tashmë ato nuk kanë më lojtarët e vendit të tyre në ekip dhe ne duhet që në fillim ta rregullojmë këtë problem me klubet pastaj me ekipet kombëtare",- tha Blater. Sipas rregullores që aplikohet aktualisht në Evropë, një lojtar quhet vendas, nëse ka tre vjet që luan me ekipin e ri dhe ka kaluar në këtë klub kur ka qenë një lojtar i ri në moshë. Kështu, spanjolli Cesk Fabregas quhet anglez, pasi ai ka kaluar me Arsenalin vetëm kur ishte 16 vjec.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›