2012 të jetë fundi i pavarësisë së mbikëqyrur

Ai këto deklarata i bëri të martën pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski.
Krasniqi i pyetur nga mediat rreth vlerësimit të këtij Grupi Drejtues Ndërkombëtar, ka thënë se Kosova ka implementuar planin e Ahtisaarit dhe pritet që vitit 2012 të jetë viti i fundit i pavarësisë së mbikëqyrur.
“Ne presim që Grupi Ndërkombëtar, ose komuniteti ndërkombëtar, të vlerësoi pozitivisht të arriturat që kanë ndodhur në Kosovë dhe në fund të këtij viti që jemi, realisht të hiqet mbikëqyrja e pavarësisë, pasi që është implementuar plani i Ahtisarit”, ka thënë Krasniqi.
Nga ana tjetër homologu i tij maqedonas, i pyetur se çfarë porosie do të jepte për liderët serbë dhe qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, Veljanoski ka thënë se realiteti që ekziston në rajon duhet të pranohet sa më shpejt.
“Ne kem bashkëpunim me gjitha vendet dhe mund të them se realiteti që ekziston në rajon duhet të pranohet sa më shpejt. Gjithsesi është përgjegjësia e politikanëve që të kontribuojmë, që kjo të arrihet sa më shpejt”, ka theksuar Veljanovski.
Ndryshe edhe ditë më parë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi kishte deklaruar se pavarësisë së mbikëqyrur po i vij fundi, dhe ky proces do të përfundojë në vitin 2012.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, pas takimit që ka zhvilluar me Krasniqin, ka takuar edhe presidenten e vendit, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. /Kosovapress/