E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini kercenon Kroacine dhe Serbine

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka kërcënuar Kroacinë dhe serbinë, që në rast se nuk do të gjejnë zgjidhje efikase për problemet me huliganizmin në futboll, atëherë këto vende rrezikojnë që në formë ndëshkimi të mbeten jashtë fazës finale të Botërorit, “Brazil 2014”, nëse këto përfaqësuese do të arrinin të kualifikoheshin. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja kroate, “Jutarnji list”.

Kreu i konfederatës europiane të futbollit ka paralajmëruar Kroacinë se tashmë ky vend e ka një karton të verdhë dhe nëse në ndeshjen e Grupit A të kualifikueseve të Kupës së Botës, kur ata do të presin Serbinë në Zagreb, më 22 mars 2013 do të regjistrohen incidente, atëherë ndëshkimi i përfaqësueses kroate do të jetë i ashpër.

UEFA dhe FIFA nuk kanë më ndërmend që të tolerojnë dhunën e transferuar në stadiume, mbi të gjitha në shtetet e Ballkanit dhe tashmë Platini ka urdhëruar që vendet me tifozë problematikë të mbahen nën vëzhgim.

Nevoja që të evitohet dhuna nga huliganët është rritur edhe prej përplasjeve që u regjistruan në Paris, përpara sfidës së Champions League ndërmjet PSG-së dhe Dinamo Zagreb. Për të garantuar që sfida ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë në stadiumin “Maksimir” do të kalojë pa probleme, Platini do të jetë personalisht i pranishëm në këtë impiant. Të njëjtën gjë, kreu i UEFA-s do ta bëjë edhe në takimin e kthimit më 6 shtator 2013, ku edhe në Beograd ai do të jetë në rolin e kontrolluesit.

Ish-legjenda franceze e futbollit do të ndjekë nga afër si do të arrijnë autoritetet kroate dhe ato serbe që të mbajnë nën kontroll huliganizimin, por edhe mjetet piroteknike, racizmin dhe thirrjet me sfond nacionalist. Nëse do të regjistrohen incidente të tilla, atëherë Kroacia dhe Serbia rrezikojnë seriozisht të dënohen duke mos u lejuar të luajnë në Brazil 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›