Plehrat rrethojnë spitalin e Fierit
REPORTAZH/ Teksa mbërrin në institucionin shëndetësor, mbetjet janë një nga "syvrasësit" e pacientëve
FIER - Në spitalin rajonal të Fierit janë bërë disa investime në infrastrukturë përsa i përket ambienteve të brendshme, ndërsa personeli tregon kujdes në mirëmbajtjen e tyre. Por kjo është njëra anë e medaljes, sepse ambientet e jashtme lënë shumë për të dëshiruar.
Shumëkush nga vizitorët që hyn në këtë spital do të shohë plehra të hedhura gjithandej ndërsa vendi ku hidhen mbetjet spitalore, duke filluar nga pavionet infektive deri të mbeturinat e kirurgjisë, është jo i përshtatshëm. Mizat (që lëvizin në këto plehra që mund të jenë edhe me përmbajtje kancerogjene ose infeksione të rrezikshme) shkojnë në dhomat e të sëmurëve duke u krijuar edhe më shumë probleme.
Persona që punojnë në spital, por që nuk duan të identifikohen shprehen se në këto plehra mund të gjesh edhe hedhurina të operacioneve me sëmundje infektive tepër të rrezikshme, që mund të shkaktojnë probleme serioze edhe te banorët, kjo për shkak të kafshëve që i përdorin ato si ushqim dhe që lëvizin pa u kontrolluar në qytet. Sipas tyre, këto mbetje duhet të digjen në krematorium, por nuk dinë gjë se ka një të tillë apo jo.
Mësohet se këto lloj mbeturinash nuk duhet të largohen me mjete të pastrimit dhe më pas të shkojnë në qendrën e grumbullimit të mbetjeve urbane, por duhet të digjen veçmas. Por problemi nuk është vetëm ky.
Përreth spitalit, përveç plehrave që hidhen nga dritarja, në themelet e tij ose ne tarracë duken pemë të egra ose barëra të mbira vetvetiu, por që janë burime sëmundjesh ose fole mizash apo minjsh. Ndërsa për lagështinë që ka tarraca e këtij institucioni, kjo duket qartë pasi aty kanë mbirë bimë të ndryshme apo myshqe.
E ndërsa problemet e kësaj natyre i has kudo, të bie në sy edhe logoja e spitalit rajonal të Fierit. Ajo është gjysmë e rrëzuar dhe askush nuk kujtohet ta rregullojë së bashku me largimin e një sasie llaçi, e cila ka shumë muaj që qëndron në derën kryesore të urgjencës dhe çuditërisht, edhe pse aty kalojnë edhe drejtues të spitalit, ajo qëndron si bashkëshoqëruese e pisllëqeve të tjera që ka përreth tij.