Tatimet bllokojnë pallatin 5-katësh
ELBASAN/ Ndërtuesi rezultonte që t'i kishte shtetit 3,9 milionë lekë të rinj detyrime të pashlyera
Familjet që kanë paguar paratë kanë kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta pasi s'kanë hipotekë
ELBASAN - Drejtoria Rajonale Tatimore ka vendosur bllokimin e një pallati pesëkatësh në qytetin e Elbasanit, pasi ndërtuesi i detyrohet shtetit rreth 3,9 milionë lekë detyrime, gjoba dhe interesa të papaguara.
Inspektorët tatimorë kanë vendosur një ditë më parë shiritin e bllokimit për pallatin duke lajmëruar edhe 9 familjet që banojnë aty për arsyen e këtij bllokimi me qëllim garancinë hipotekore deri në shlyerjen e detyrimeve.
Por ndërkohë një vendim i tillë ka futur frikën te banorët, të cilët kanë dhënë të gjitha paratë për të hyrë në banesat e tyre e që në rast të mosshlyerjes së detyrimeve nga pronari i objektit, mund të përfundojnë në mes të katër rrugëve.
Bllokimi
Kreu i degës së Tatimeve, Skënder Daja, deklaroi se bllokimi i këtij pallati bëhet për arsye se subjekti ndërtues me përfaqësues shtetasin M.Ç, nuk ka paguar në afatin e kërkuar ligjor detyrimet si tatim-fitimi, sigurimet shoqërore me një vlerë totale prej 3,9 milionë lekësh.
Daja sqaron se tatimpaguesit të sipërcituar i është dërguar dokumenti " njoftim për pagimin e detyrimit", por kjo pagesë nuk është kryer ende nga ai duke shkelur të gjitha afatet e mundshme.
Kreu i tatimeve deklaron se në rast se pronari i këtij pallati nuk shlyen detyrimet e prapambetura brenda një afati kohor prej 30 ditësh, atëherë ky pallat do të sekuestrohet për t'u përdorur për shlyerjen e këtyre detyrimeve.
Ai shton se "mosshlyerja e detyrimeve në Drejtorinë Rajonale Tatimore bën që tatimpaguesi nuk mund të pajisë me certifikatën e pronësisë dhe të hipotekojë 9 apartamentet për banorët e këtij pallati".
Banorët
Pallati pesëkatësh i ngritur para katër vjetësh shumë pranë Drejtorisë Rajonale të Pyjeve dhe Kullotave në lagjen Kongresi i Elbasanit ka në përbërje të tij nëntë familje të cilët e kanë shlyer detyrimet ndaj ndërtuesit të pallatit dhe tashmë kërkojnë që të pajisen me certifikatën e pronësisë. Ata kërkojnë që shtetit të veprojë në një lloj mënyre, pasi nuk mund të qëndrojnë në qiell të hapur.
"Ose, - shprehen banorët, - të bëhet e mundur të na kthehen paratë që na janë marrë nga ndërtuesi". Lidhur me këtë rast, kreu i tatimeve tha se masa të tilla do të vazhdojnë edhe për subjekte të tjera që nuk kanë derdhur detyrimet edhe pas shumë kërkesash e njoftimesh të bëra nga ana e degës së tatim-paguesve.
Sipas tij, institucionet që japin leje ndërtimi duhet më parë të shikojnë dosjen e ndërtuesve nëse këta kanë detyrimeve të pashlyera në shtet apo jo. "Ky institucion nuk duhet të japë leje nëse ata janë debitorë.
Po kështu qytetarët që blejnë apartamente, duhet të sigurohen më parë për hipotekimin e tyre pasi ndërtuesit debitorë nuk kanë asnjë mundësi ta regjistrojnë apartamentin në zyrën e regjistrimit të pronave", përmbylli Daja.