Plumba në oborrin e shkollës, pranga 15-vjeçarit
Policia e Bulqizës ka arrestuar një 15-vjeçar, pasi qëlloi me armë zjarri në oborrin e një shkolle fillore të këtij rrethi. Burime pranë policisë lokale saktësuan se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10.00 të paradites në shkollën e ciklit të ulët të fshatit Boçevë, komuna Shupenzë. Adoleshenti, sapo ka hyrë në oborrin e shkollës ku ndodheshin 70 nxënës dhe katër mësues, ka qëlluar në ajër me breshëri. Krismat kanë terrorizuar fëmijët, të cilët janë larguar me shpejtësi nga shkolla, ndërkohë që aty kanë mbërritur shpejt edhe prindërit e tyre. Mësuesit kanë njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur. Katër efektivë të policisë së Shupenzës kanë mbërritur pranë shkollës dhe shumë shpejt kanë mësuar se autori i kësaj ngjarje ishte F.K. 15 vjeç, banor i këtij fshati. Ai u arrestua pranë shtëpisë së gjyshërve, me të cilët jetonte.