Protestë kundër krimit në Vlorë, 1 javë pas atentatit
Familjarët e gjyqtarit të vrarë, kolegë dhe qytetarë vlonjatë kanë protestuar dje në bulevard kundër krimit. “Beteja kundër krimit fitohet duke qenë të gjithë bashkë”
Beteja kundër krimit fitohet duke qenë të gjithë bashkë. Nën këtë moto, dhjetëra qytetarë të Vlorës, mes të cilëve edhe familjarë të gjyqtarit të ekzekutuar 1 javë më parë, Skerdilajd Konomi, kanë marshuar në bulevardin e qytetit. Përkrah të afërmve të Skerdilajdit janë rreshtuar kolegët e tij të Gjykatës së Vlorës, prefekti Eduart Veçani dhe figura të njohura të shoqërisë civile, intelektualë, studentë dhe qytetarë të thjeshtë. Qytetarët kanë kërkuar më shumë siguri në jetën e tyre të përditshme dhe zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Konomi, përmes parullave si “Vlora është e lirë”, “Të ndëshkohen kriminelët” etj. Tubimi, i cili u zhvillua në mënyrë paqësore nga Sheshi i Flamurit deri në Skelë, u ndoq nga forcat e policisë. Për zhvillimin e tubimit të djeshëm, organizatorët kishin marrë leje nga forcat e rendit një ditë më parë. Pak para nisjes së tij, në bulevard është bllokuar qarkullimi i mjeteve, në mënyrë që të sigurohej mbarëvajtja. Në emër të organizatorëve, Auron Rrokaj ka dhënë mesazhin: “indiferenca vret”. Po këtij mesazhi i është bashkuar edhe kreu i gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, i cili tha se “Jam këtu si qytetar i thjeshtë, duke iu bashkuar me këtë status kësaj lëvizjeje që zhvillonte shoqëria civile”. Manifestuesit, pasi kanë përshkruar bulevardin dhe kthyer te rrethi në Skelë, janë ndalur te vendi ku u vra gjyqtari Konomi, ku kanë vendosur edhe foton e tij dhe lule. Më pas ata janë shpërndarë paqësisht. Ngjarja që inicioi tubimin e sotëm ndodhi një javë më parë, në rrugë kryesore, ku u ekzekutua me shpërthim tritoli gjyqtari 33-vjeçar Skerdilajd Konomi, ngjarje e cila u cilësua e tipit mafioz. E.Haruni
Auron Rrokaj:
“Beteja kundër krimit fitohet duke qenë të gjithë bashkë, individë, grupime, institucione. Në këtë betejë, indiferenca, e qytetarëve apo e institucioneve, mungesa e ndërgjegjes kolektive, janë armiqtë tanë kryesorë” - tha koordinatori i tubimit, Auron Rrokaj. Përmes një njoftimi, ai e ka cilësuar të rëndë gjendjen e krijuar, si pasojë e cenimit të ligjit, keqpërdorimit të drejtësisë për arsye politike dhe ekonomike si dhe indiferencës së qytetarëve.