E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po mbytemi nga mitingjet

Nga Veledin DURMISHI
Përpara se të kem inat mitingjet, unë urrej ata që i organizojnë ato e pastaj, nuk i dua ata që mbushin sallat, sheshet e, nën ethet e emocioneve, duartrokasin e thërrasin me të madhe emra liderësh, sikur ata të ishin vetë apostujt. U ndodha kohë më parë në Pallatin e Kongreseve, ku një parti, përmes programit do të paraqiste edhe kandidatët e vet. Kur kryetari  i partisë, me shpurën e vet zunë vendet në tribunë, salla u ngrit në këmbë, ku duartrokitjet dhe thirrjet më kujtuan kongreset e famshme të Partisë së Punës. Si me komandë shpërthyen. Çështë ky zell, ky përkushtim, kjo miopi politike?! A është domosdoshmërisht e nevojshme thirrja e mitingjeve? Absolutisht, jo! Veç diçkaje anakronike, aty ka  një skërmitje dhëmbësh, një ftesë për duel, një vetarmatosje një... Kjo shihet përditë ku shpirt e zemër, ditën dhe natën, të gjitha mediat, të tri brezat njerëzorë i kanë pushtuar ethet e mitingjeve. Fëmijët lënë shkollën pas mësuesve, zyrtarët me urdhër gojor mbyllin zyrat e vrapin e ndalin në mitingje ku tribunarët u veshin britmave histerike  fjalë patetike që fund e krye janë veshur me premtimet të cilat kemi 18 vjet rresht që i dëgjojmë. Dëgjojmë fjalë të vrazhda fyese, deri te përgatitja për betejë, luftë. Luftë më kë?! Armët janë duartrokitjet, ndërsa plumba janë fjalët e tribunarëve. Lufta pozitë- opozitë, që e ka vatrën në parlament del jashtë saj. Njëra palë mobilizon akuzat ndaj tjetrës, por  që lëkund duartrokitësit e vet, pala tjetër nxjerr  nga sirtari inatet dhe mëritë e vjetra, por harron se po përmbys vlerat e veta morale. Kështu, gjithnjë kurthngritur ndaj njëra-tjetrës, ato njëherazi ngritën atë ngrehinë të shëmtuar modeli se si nuk duhet të jetë një parti që pretendon se është e aftë të drejtojë shtetin shqiptar për katër vitet e ardhshme, janë një model i shëmtuar ata politikanë  edhe pse jo një herë kanë përmbysur moralin e tyre e  sërish  rendin nëpër mitingje me mikrofonë ndër duar. U lodhëm sa nuk po na mbajnë me nervat. Posterat shumëngjyrëshe, fletë palosje, makina të partive që uturijnë nëpër rrugë, flamuj partish të cilët për fat të keq edhe  kanë  provokuar sherre. Fotografi liderësh që kanë  mbuluar faqet e pallateve, slogane ku së shumti bie në sy fjala ndryshim ky imazh aq  i mbingarkuar po na lodh e po na irriton sa nuk po e përballojmë dot. Metoda klasike për të detyruar tjetrin të heshtë  është shantazhi e mitingjet janë shprehëse të këtij shantazhi. U lodh shqiptarziu me mitingje, ndërsa tribunarët, ndonëse gjithnjë e më të hutuar, kanë një energji që ndoshta u buron nga patetizmi i fjalëve që thonë e që herë-herë duken që edhe ata vetë nuk u besojnë më fjalëve të tyre. Populli po! Ai duartroket i ngazëllyer, i gatshëm të mbajë kalin e pushtetit, ku do të hipi ai, lideri. Të pushohen mandatet e atyre që varrosin të vërtetat e mitizojnë  gënjeshtrat e mitingjeve të tyre! Ata tregojnë përralla që populli gjithnjë i ha, madje i bëjnë mirë, përderisa mbush sheshet e duartroket; Raamaa, Ruuçii, Beeriishaa, Paalookaa, Xhuuveeli, Meeehdiu, Ndoooka... Kjo hipokrizi nuk ka nevojë për maskë. Mitingjet sbëjnë gjë tjetër veç rrëzojnë ndonjë tullë  nga morali i politikanëve, këtyre darvinistë brutalë Kush të mundë më parë të bind të bindurit e sheshit se ato që tha ai (eh, sa herë i ka thënë ai ato) janë të vërteta universale, ndërsa ato të podiumit tjetër janë hipokrizi, paçavure Akuzat e ndërsjellta, herë politike, herë mjerisht qesharake, sbëjnë gjë tjetër veç shprehin qartë se ky rudiment  i politikës shqiptare, ky çiban, i thënë shqip, do ti ndjek pas aq kohë sa unë, ti, ai, do tu shkojmë pranë e tu mbajmë kalin. Të gjithë deklarojnë se partia e tij ka në sirtar një projekt që i jep Shqipërisë 24 orë ujë, 24 orë drita, hap kaq vende pune, kanë projekte madhore që mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kriza etj Pallavra! Kush e beson?! Çbëri ai kaq vjet në pushtet? Ata prapë do të gënjejnë, ne prapë do të besojmë! I kemi ndarë detyrat. Mirë i bëjmë të dyja palët! Si mund të shpjegosh ti qyqar qytetar, që duartroket aq fort, se kaluan 18 vjet e shteti ynë ska mundur dot  të regjistrojë dy milionë qytetarët e vet!? Do të hyjmë në zgjedhje por jo të gjithë  janë pajisur më kartat e identitetit. Sërish do të ketë mundësi vjedhjeje të votës. Vërtet beson se nuk munden?! Jo, jo, nuk duan! Duan të manipulojnë me ty, me ty që duartroket, me mua që, edhe pse sua var shumë, nuk punoj ti rrëzoj nga kali. Ata serdhën nga qielli; u prodhuan nga  duartrokitjet tona, u ngjitën lart nga paratë që  vodhën e që as unë e as ti nuk di si ti heqë qafe. Si, nuk e di?! Fare thjesht. Lëri sheshet e sallat kur të bëjnë thirrje e mos harro të mbarosh punë me ta ditën e votimit.

Last Updated on Friday, 26 June 2009 02:22

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›