E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhamia e Neshat Pashait e lënë në harresë ndryshon falë ristrukturimit

Shteti duhet të jetë i pari që duhet të mbrojë trashëgiminë kulturore kombëtare, por duket se ai i ka lënë në harresë shumë objektet të tilla kulturore, të cilat tashmë po shkojnë drejt shkatërrimit. Megjithëse vendi ynë trashëgon një pasuri të tillë, ajo që po ndodh me këto objekte tregon fare qartë se ato tashmë kanë mbetur jashtë vëmendjes së tij,megjithëse në shumë raste pohohet nga Ministria  e Kulturës se janë dhënë shumë fonde për restaurimin tyre. Ajo që ka ndodhur me një objekt kulti në qytetin e Vlorës tregon qartë se tashmë me këto objekte të trashëgimisë sonë kulturore nuk bëhet aq sa duhet. Për të mos i lënë që ato të shkatërrohen një biznesmen nga qyteti i Vlorës ka bërë një investim në një objekt kulti, i cili ka shërbyer që ajo të ristrukturohet. Xhamia e Neshat Pashait, e njohur ndryshe Xhamia e Kuqe, një nga objektet e kultit më të vjetra e më të njohura në qytetin e Vlorës, është rikonstruktuar tërësisht, falë ndihmës së një prej biznesmenëve vlonjatë. 42 vjet pas dëmtimit nga regjimi komunist, ajo u transformua në një objekt kulti ku spikasin edhe vlerat historike e arkitektonike. Përmes projektit, të financuar nga biznesmeni Dashamir Tahiri, u rindërtua minareja dhe mjediset e brendshme, ndërkohë që u realizua edhe restaurimi i fasadës, duke evidentuar elementët arkitekturorë që e dallojnë atë nga objekte të tjera të ngjashme, jo vetëm në Vlorë por edhe më gjerë. Me rastin e përfundimit të rikonstruksionit të Xhamisë së Kuqe, që ndodhet në një nga lagjet më të vjetra, rreth 50 metra në lindje të Sheshit të Flamurit, u zhvillua dje dhe një ceremoni, ku ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça e drejtues të tjerë të lartë të tij. Xhamia e Kuqe, është ndërtuar nga Sheh Jakubi, në vitin 929 Hixhri (sipas kalendarit hënor mysliman), ose në vitin 1523 dhe u rindërtua në vitin 1925 nga Neshat Pashaj, pinjoll i familjes së bejlerëve Vlora. Në vitin 1967, u shkatërruan minareja dhe tyrbja përballë saj (vendvarrimi i familjes së Neshat Pashait),  ndërkohë që u grabitën të gjitha pajisjet e brendshme të xhamisë, të ardhura nga Egjipti. Për rreth 30 vjet ajo shërbeu si mjedis për një nga ndërmarrjet e shërbimeve të qytetit të Vlorës. Xhamia e Kuqe, është një nga dy objektet më të njohura të këtij lloji në qytetin e Vlorës, krahas Xhamisë së Muradies. Deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të XX, në këtë qytet, funksiononin 7 objekte të tilla kulti, një numër i barabartë me atë të lagjeve të Vlorës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›