E Hënë, 2 Nëntor 2026

Podgorica, së shpejti luftë në Mal të Zi

20/02/2005  Dje takimi në Shkodër, mes policisë së dy vendeve për antitrafikun

Fletushka në rrugët e Podgoricës. Duket se "ustallarë" kanë menduar të ndezin një tjetër konflikt, ku njëra nga palët të jenë shqiptarët. Agjencitë e lajmeve pohojnë se në Podgoricë dje kanë gjetur afishe, ku thuhet se është vetëm çështje kohe kur, për shkak të nacionalizmit shqiptar, do të shpërthejë lufta në Mal të Zi. Në afishen e nënshkruar nga organizata e panjohur "Korparmata antishqiptare - arradha malazeze" kërkohet referendumi, në të cilin qytetarët e Malit të Zi do të vendosin nëse shqiptarëve u duhen dhënë të drejtat që po kërkojnë. "A do të lejojmë që nga ne ta krijojnë Kosovën e re, pas të gjitha luftrave, konflikteve, sanksioneve, pas Maqedonisë, a do t'i gëlltisnim vërtet fjalët se u janë rrezikuar të drejtat", shkruhet në afishet e shpërndara nëpër rrugët e Podgoricës.

Takimi

Ndërkohë dje, në një takim në Shkodër, ka marrë pjesë shefi i policisë kriminale të Ulqinit. Rrjetet kriminale të trafikut të qenieve njerëzore po përdorin rrugë të reja për t'i shpëtuar ndjekjes së policisë. Kjo u theksua në takimin rajonal kushtuar luftës kundër trafikimit, të mbajtur në qytetin e Shkodrës me nismën e shoqatave joqeveritare të Shqipërisë e Malit të Zi. Shefi i antitrafikut në policinë e Qarkut të Shkodrës, Halit Murati, tha se kanë ndryshuar rrugët e trafikut të qenieve njerëzore dhe se po shfrytëzohen zona të vështira për t'u kontrolluar. Ndërkaq shefi i policisë kriminale të Ulqinit, Rudolf Elezovic, tha në këtë takim se rrugët e emigracionit ekonomik, tashmë janë shndërruar në rrugë të krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›