E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e paralajmëruar

Babai i dy fëmijëve, 42-vjeçari Kujtim Elezi, vari veten si pasojë e depresionit të shkaktuar nga borxhet. Pak muaj më parë kishte pirë fostoksinë

TIRANË - Ishte lodhur nga hallet dhe borxhet që kishte. Ishte lodhur nga sakrificat që kishte bërë për t’u përshtatur me jetën e re pas shpërnguljes në kryeqytet. Borxhi prej 35 mijë eurosh, të cilin ka menduar se nuk do të mund ta shlyente kurrë, e ka futur në depresion të thellë. Dhe e ka menduar mirë vetëvrasjen, si zgjidhjen më të mirë për t’u dhënë fund këtyre problemeve. Disa muaj më parë ka shpëtuar mrekullisht nga tentativa për t’u helmuar me fostoksinë. Familjarët e kanë gjetur në kohë dhe pasi e kanë çuar në spital, kanë mundur ta mbajnë në jetë. Por as fati i herës së parë nuk e ka bërë që të reflektojë e të hapë sytë. Pas zhgënjimit të shpëtimit të herës së parë, babai i dy fëmijëve, Kujtim Elezi, 42 vjeç, ka zgjedhur litarin për të mbyllur sytë përgjithmonë.

Vetëvarja

Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se rreth orës 23:05 të së mërkurës, forcat policore të Komisariatit Nr. 1 kanë marrë njoftim për vdekjen e një mashkulli në rrugën “Ali Visha”. Me të arritur në vendin e ngjarjes, ekspertët kriminalistë dhe grupi hetimor kanë nisur punën për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë dëshmitë nga familjarët. Kryefamiljari Kujtim Elezi, 42 vjeç, nga Korça, me banim në Tiranë, kishte varur veten në shkallët e shtëpisë private në rrugën “Ali Visha”, pranë Qytetit Studenti. Sipas burimeve, mësohet se ka qenë gruaja e tij, ajo që ka gjetur trupin e pajetë të burrit në oborr. Shkak i vdekjes ka qenë asfiksia nga mbytja me litar. Ndërkohë që pas dëshmive të marra nga gruaja dhe familjarët e tjerë, rezulton se kjo nuk ka qenë hera e parë që viktima ka tentuar të vetëvritet.

Disa muaj më parë Elezi kishte pirë fostoksinë, për t’i dhënë fund jetës si pasojë e një depresioni mendor nga i cili vuante prej muajsh. Pasi kishte kaluar një ditë të qetë dhe normale në dukje, babai i dy fëmijëve është kthyer në shtëpi pas një dite pune, ka darkuar me familjen e në kohën kur pjesëtarët e tjerë kanë qenë shtrirë për të fjetur, 42-vjeçari ka marrë një litar dhe është vetëvarur në oborrin e shtëpisë private. Duke u shqetësuar, gruaja e tij ka dalë ta kërkojë, por ka gjetur burrin të vetëvarur. E tmerruar ka njoftuar komshinjtë, të cilët më pas kanë lajmëruar policinë. Nga burimet bëhet e ditur se vdekja ka qenë e menjëhershme, për shkak se litari ka qenë i siguruar mirë, duke hequr në këtë mënyrë çdo mundësi për të shpëtuar. Pas dështimit të parë të tentativës për vetëvrasje, këtë herë duket se çdo gjë ishte planifikuar më së miri nga viktima, pa lënë asnjë mundësi shpëtimi.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›