Podgoricë, dënohen katër ish-ushtarë për krime lufte

Një gjykatë e Malit të Zi ka dënuar me 4 vjet burg katër ish ushtarë të ish-Jugosllavisë, për krime lufte, kundër të burgosurve kroatë të luftës, gjatë konfliktit në Kroaci në periudhën 1991-95. Katër shtetasit u shpallën fajtor nga gjykata për torturë të të burgosurve në një kamp të improvizuar në fshatin Morinj, ndërsa dy të akuzuar të tjerë u liruan për mungesë të provave.
Vendimet u bënë në rigjykim, pasi më herët Gjykata e Apelit e Malit të Zi e kishte kthyer lëndën.
Deklarata e Kroacisë për pavarësi nga Jugosllavia, në vitin 1991, kishte shkaktuar luftë katërvjeçare me kryengritësit etnikë serbë, që mbështeteshin nga Beogradi.
Gjatë asaj periudhe, në ushtrinë e Jugosllavisë, e udhëhequr nga Serbët, ishin të përfshirë edhe ushtarët nga Mali i Zi.