E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, deputetët e PS mbështesin protestën për gjendjen ekonomike

POGRADEC- Protestat e Partisë Socialiste kanë mbërritur edhe në qytetin e Pogradecit. Dhjetra banorë me pankarta në duar ku shkruheshin parrulla kundër qeverisë apo rritjes së cmimeve kanë protestuar në qëndër të qytetit.

Në fjalën e tij, deputeti socialist Pandeli Majko u përqendrua në situatën politike, duke akuzuar mazhorancën se për cdo problem, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave, fajëson opozitën.

“Shqipëria nuk mund të qeveriset më me vota të vjedhura. Këta qeveritarë harrojnë se nuk mund të qeveriset vendi me batuta dhe kur del ndonjë problem menjëherë gishti kthehet nga opozita, nga ajo që aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë pushtet dhe thuhet se fajin e ka opozita. Vonohen vizat fajin e ka opozita” – theksoi Majko.

Ndërsa deputetët Mimi Kodheli dhe Olta Xhacka folën për gjendjen ekonomike.

“Që nga data 1 janar dhe deri më sot, 80 mijë vende pune janë hequr nga lista. Mund ti themi stop rritjes së cmimeve që po shkojnë në qiell” – deklaroi Kodheli, ndërsa deputetja Xhacka u shpreh se, “Ne jemi përballë një situate ku po rrënohet ekonomia, ku po rrënohet demokracia, sepse qeveria që kemi nuk qeveris dhe nuk drejton në funksion të interesave të të gjithëve.”

Ashtu si edhe në protestat e tjera, deputetët socialistë mbyllën këtë takim me qytetarët pogradecarë me ftesën për pjesëmarrje në protestën e madhe të 30 prillit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›