E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, viktima e parë nga të nxehtët

Regjistrohet viktima e
parë e vapës në juglindje
të vendit. Ende pa nisur
mirë sezoni turistik,
në qytetin e Pogradecit është
shënuar viktima e parë e vapës
dhe "pre" e liqenit. Një ngjarje e
rëndë ka tronditur dje zonën e
Pogradecit. Një 18-vjeçar është
mbytur në ujin e ftohtë të liqenit,
sapo ka hyrë për t‘u freskuar.
Burime zyrtare nga policia bëjnë
të ditur se bëhet fjalë për një 18-
vjeçar nga fshati Rrëmenj. Adoleshenti
ka gjetur vdekjen në liqenin
e Pogradecit, ndërsa kishte
shkuar me shokët e tij për të notuar
dhe kaluar një fundjavë argëtuese.
Ngjarja ka ndodhur rreth
orës 11.50 të së shtunës, kur Endri
Bektashi është hedhur në ujë
për t‘u larë, ndërkohë që bashkë
me shokët kishin shkuar enkas në
qytet për piknik dhe kishin vendosur
që të shëtisnin me varka.
Duke vozitur ata kanë vendosur
të kridheshin në ujin e liqenit për
t‘u freskuar për shkak të vapës së
madhe. Sipas policisë kanë qenë
shokët e tij që kanë sinjalizuar për
mbytjen e 18-vjeçarit. Pasi kanë
hyrë në liqen, vetëm pak metra
larg bregut, djemtë janë hedhur
me radhë nga varka në ujë. Por
sapo ka rënë në kontakt me ujin e
ftohtë, Endri është bllokuar, duke
mos mundur të lëvizë gjymtyrët.
Sipas deklarimeve të shokëve të
tij, që nga momenti që është
kredhur në ujë, nuk është parë të
dalë më në sipërfaqe. Tre shokët
që shoqëronin viktimën kanë pritur
që ai të dalë mbi ujë, duke e
konsideruar si një shaka të 18-
vjeçarit, por kur kanë konstatuar
se minutat kalonin dhe shoku i
tyre nuk jepte shenjë jete, kanë
nisur kërkimet derisa e kanë nxjerrë
18-vjeçarin Bektashi nga uji në
gjendje të asfiksuar. Ata kanë tentuar
ta rikthejnë në jetë, por ka
qenë tepër vonë. Policia tha se
ngjarja ka ndodhur në afërsi të një
lokali jo shumë larg nga bregu dhe
trupi i viktimës është nxjerrë me
shpejtësi për t‘i dhënë ndihmën
e parë, por fatkeqësisht ai kishte
ndërruar jetë. Miqtë e tij dhe
dëshmitarë të rastit kanë tentuar
të rivënë në punë zemrën e tij, por
pa mundur të kenë sukses. Burimet
e policisë kanë thënë se nga
deklarimet e shokëve, me të cilët
ka qenë i shoqëruar viktima në
momentin e ngjarjes, ka rezultuar
se 18-vjeçari ka hyrë në ujë për
t‘u larë bashkë me ta, por është
kontraktuar nga uji i ftohtë dhe
për pasojë është mbytur. Trupi pa
jetë i adoleshentit është dërguar
për t‘iu nënshtruar ekspertizës
mjeko-ligjore në morgun e qytetit,
ku është konstatuar se i riu ka
pësuar probleme në zemër, infarkt,
në momentin që ka pasur
kontakt me ujin e ftohtë të liqenit
dhe si pasojë ai është asfiksuar. Ky
ka qenë edhe varianti zyrtar i
mbytjes së 18-vjeçarit. Është rasti
i parë për këtë vit, që një i ri vdes
për shkak të temperaturave të larta
dhe sezonit të plazhit. Një vit
më parë, vetëm në liqenin e Pogradecit
kanë humbur jetën të
paktën 4 persona gjatë sezonit të
verës, për shkak të mbytjes në
ujërat e liqenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›