E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, bashkia do të ndërhyjë në zonën ushtarake

POLIÇAN - Bashkia e Poliçanit ka marrë “OK” nga Ministria e Mbrojtjes për të ndërhyrë në seksionin e ujësjellësit që ndodhet në zonën e uzinës së armëve. 

Tashmë bashkia në bashkëpunim me ujësjellësin do të fillojnë nga puna për riparimin e rrjetit të brendshëm që ndodhet në uzinë. Sipas specialistëve dhe drejtuesve të bashkisë, infeksioni ka ardhur nga ndotja e ujit në sektorin e uzinës, ku dhe rrjeti është i pa kontrolluar për shkak se zona ishte ushtarake. Nga kontrollet e ushtruara në këtë sipërfaqe janë konstatuar vatra të infektuara me lëndë kimike. Situata në Poliçan vijon të mbetet alarmante, për shkak se të sëmurët janë ende në karantinë, ndërsa uji i pijshëm është bllokuar. Deri në një vendim të dytë, banorët nuk lejohet që ta përdorin ujin për asgjë. Burime nga bashkia pohojnë se në bashkëpunim me ujësjellësin, do të zëvendësojnë të gjithë rrjetin me tubo të reja. Gjithashtu do të bëhen edhe dezinfektimet përkatëse. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për shtyp bëri të ditur se për epideminë në fjalë nuk kemi të bëjmë me dizenteri. Analizat e kryera pas gjendjes së krijuar, tregojnë se pacientët janë prekur nga një gastro-enterit i rëndë. Specialistët e pyetur për këtë virus, thonë se ai është një infeksion që shkakton të vjella dhe diarre, por është një shkallë sëmundjeje më e lehtë se dizenteria. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja tha se, “nga hetimi epidemiologjik dhe analizat e kryera, rezulton se pacientët nga Poliçani nuk janë prekur nga një dizenteri klasike, por nga gastro-enterit i rëndë”. Ministria e Shëndetësisë pohoi se në gjithë vendin sasia e klorifikimit është trefishuar. Por porosit zonat turistike, kryesisht Kavajën e Durrësin, që të mos përdorin ujin e çezmave.   d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›