E Diel, 1 Nëntor 2026

S‘shkon në gjyq, zhduket ish-prokurori i Kavajës i akuzuar për “korrupsion”

TIRANE – Zhduket prokurori i akuzuar për “korrupsion”. 

Gjykata e Tiranës pohoi dje se Musa Mulkurti, prokurori i Kavajës i akuzuar për korrupsion nuk gjendet në banesë. Ky konkluzion doli pasi fletëthirrjes së gjykatës për gjyq nuk i ishte përgjigjur as i pandehuri dhe as familjarët e tij. Dje kur pritej të zhvillohej seanca e parë e gjyqit, në të cilin nën përgjegjësi penale është marrë edhe një avokat për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”, gjykata njohu të pranishmit në proces me faktin se ish-prokurori i shkarkuar Mulkurti, nuk kishte marrë njoftim për gjyqin. Pas kësaj gjykata vendosi të shtynte seancën gjyqësore për të përsëritur thirrjen për Mulkurtin. Prokurori i Kavajës, Musa Mulkurti u denoncua në muajin shkurt të këtij viti në një emision televiziv, teksa kërkoi para në këmbim të një pretence të ulët për një të akuzuar. Mulkurti ishte filmuar ndërsa bënte pazare lekësh në shuma të mëdha me një qytetar, i afërmi i të cilit ndodhej në gjykim në Gjykatën e Kavajës dhe pas prishjes së pazareve e ngriti pretencën në 10 vjet burg. Pas kësaj Prokuroria e Përgjithshme e pezulloi nga detyra, duke i hapur rrugë hetimit të tij nën akuzën “korrupsion pasiv të prokurorëve”, si dhe njësia kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës regjistroi ndaj tij procedimin penal. Ndërsa pak ditë më parë kur dosja në ngarkim të tij u dërgua në gjykatë për shqyrtim, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi shkarkimin e Mulkurtit nga detyra e prokurorit në mënyrë që të mos kishte pengesë ligjore në procesin në ngarkim të tij.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›