E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, lista e shërbimeve falas për 2009-n

07/01/2009  Brenda tre muajve do të jenë finalizuar dhe kontratat ndërmjet spitaleve dhe ISKSH-së

Buxheti tashmë do ndahet nga Ministria e Financave, standarde të reja cilësie çdo vit

Përcaktohet lista e shërbimeve spitalore, që do të kalojë nën financimin e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore duke filluar nga janari i këtij vit. Drejtoresha e ISKSH-së ka pohuar se brenda muajit mars do të jenë finalizuar dhe kontratat përkatëse ndërmjet Institutit dhe drejtuesve të spitalit, si dhe kontratat e tjera ndërmjet drejtorit dhe punonjësve të institucionit shëndetësor. Nëpërmjet tyre do të përcaktohen përfundimisht shërbimet spitalore bazë që do të ofrohen për pacientët e që do të mbulohen nga sigurimet, ndërsa kontratat do të bazohen në shërbimet që realisht ofrohen në spitale në kohën e lidhjes së saj. Shtrirja e reformës synon që spitalet me këtë vendim të fitojnë autonomi sa i takon përdorimit të fondeve për nevojat e spitalit, e në mënyrë të posaçme për furnizimin me medikamente. “Sigurisht, procedurat do të monitorohen nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, që do të kontrollojë spitalet për pjesën e financimit. Një rol themelor i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, sipas vendimit të qeverisë, brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim. Sipas këtij vendimi, spitali ushtron veprimtarinë e tij bazuar në këto standarde, që përcaktohen nga Ministria e që rivlerësohen çdo vit”, - ka pohuar Hana. Sipas saj, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do të sigurojë shërbimin shëndetësor të garantuar për të gjithë popullatën.

Barnat

Veçanërisht synohet përmirësimi i situatës në furnizimin me medikamente, çka është parë shumë problematike dhe abuzive kohët e fundit nëpër spitale si dhe kërkohet të respektohet sistemi i referimit nga spitalet rajonale në spitalin terciar, që është QSUT-ja. “Pacienti do të përfitojë faktin që spitalet do të kenë më shumë barna, pasi do t’i prokurojnë vetë që në fillim të vitit dhe natyrisht do të garantohet nëpërmjet një kontrolli shumë të hollësishëm nga ISKSH, që të gjithë spitalet do të kenë barna më të domosdoshme, sipas shërbimeve që ato japin”, - ka pohuar Hana. Kontrata do të ketë të përcaktuar vetëm atë shërbim që jep spitali, që pas kontraktimit do të paguhet nga ne. Nëse do të ketë nevojë për t’u shtuar shërbime të tjera, natyrisht do të ketë nevojë për para të tjera, për këtë arsye do të negociohet midis ISKSH-së dhe Ministrisë së Financave, nëse do të duhet që kjo paketë e shërbimeve fillestare të jetë më e zgjeruar

Ndarja e buxhetit

Ndarja e buxhetit për çdo spital për vitin 2009 është bërë me vendim qeverie, ku janë të përcaktuar zërat në paga, sigurime dhe mallra e shërbime. Njëkohësisht është përcaktuar që kalimi i buxhetit do të bëhet nëpërmjet llogarisë së thesarit të Ministrisë së Financave, çka do të thotë se lëvrimi i fondeve do të bëhet nga Financat për të gjitha zërat e përmendur më lart. Ndërsa spitalet do të zbatojnë sistemin e referimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila do të jetë gjithashtu përgjegjëse për investimet në spitale. “Spitalet do të kenë buxhet të pavarur, pra është përcaktuar që ai do të mbajë fondet dhe do të trashëgojë vetë spitali. Në fazën e parë është vendosur nga qeveria një autonomi e kontrolluar e këtyre spitaleve, dhe për këtë arsye është përcaktuar thesari si lëvruesi i fondeve në momentin e parë”, - ka pohuar Hana.

Shërbimet falas

Përfshirja e spitaleve në sigurime përcakton që të gjithë pacientët që derdhin sigurimet shëndetësore do të përfitojnë paketën bazë të shërbimeve falas, ashtu siç veprohet në kujdesin parësor, por me ndryshimin se do të marrin falas në masën 100 për qind. Ndërsa paketa tjetër e shërbimeve do të ofrohet kundrejt çmimeve të caktuara dhe do të deklarohet nga spitalet nëpërmjet afishimit të tyre.

Borxhet e spitaleve

Ende nuk është marrë një vendim se si do të veprohet për shlyerjen e borxheve të akumuluara nga spitalet. Kjo pasi nuk dihet shifra e saktë e borxheve të akumuluara nga spitalet në këta 18 vjetët e fundit. Në vendimin e përcaktuar është pohuar se shlyerja e këtyre borxheve nuk do t’u ngelet spitaleve, as ISKSH-së. Pra, ky buxhet që u jepet spitaleve do të përdorohet vetëm për nevojat e tyre, jo për borxhet.

Të ardhurat dytësore

Një pikë e rëndësishme e arritur me këtë vendim ka të bëjë me përdorimin e të ardhurave dytësore nga vetë spitali, i cili do të ketë mundësi edhe të trashëgojë fondet (pra, nëse i mbeten fonde pa shfrytëzuar gjatë vitit, ato nuk do të kalojnë më në buxhetin e shtetit, por mund të mbahen dhe të përdorohen nga vetë spitali). Ndarja dhe mënyra e mëtejshme se si do të përdoren këto fondeve do të përcaktohet nga spitali.

Lista e shërbimeve që do të financohen nga ISKSH-ja

Shërbimi i kardiologjisë

- hemodinamika

- reanimacioni i kardiologjisë

Shërbimi i kardiokirurgjisë

Shërbimi i kirurgjisë angiovaskulare

Shërbimi i hematologjisë

Shërbimi i gastrohepatologjisë

Shërbimi i endokrinologjisë

Shërbimi i nefrologjisë dhe hemodializës

Shërbimi i anestezi-reanimacionit

Shërbimi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme

Shërbimi i mjekësisë interne

Shërbimi i alergologjisë

Shërbimi i reumatologjisë

Shërbimi i dermatologjisë

Shërbimi i ortopedisë

Shërbimi i okulistikës

Shërbimi i ORL-së

Shërbimi i kirurgjisë maksilo-faciale

Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme

Shërbimi i urgjencës kirurgjikale

Shërbimi i kirurgjisë digjestive

Shërbimi i urologjisë

Shërbimi i djegie-plastikës

Shërbimi i neurologjisë dhe neurofiziologjisë

Shërbimi i neurokirurgjisë

Shërbimi i onkologjisë dhe kirurgjia onkologjike

- statistika onkologjike (regjistri i kancerit)

- laboratori histopatologjik onkologjik

- laboratori klinik-biokimik onkologjik

Shërbimi i rrezatim-kobaltit

Shërbimi i infektiv

Shërbimi i pediatrisë së përgjithshme

- urgjenca pediatrike

- fizioterapia pediatrike

Shërbimi i pediatrisë së specialiteteve

Shërbimi i pediatrisë infektive

Shërbimi i kirurgjisë infantile

Shërbimi i onkohematologjisë pediatrike

Shërbimi i reanimacionit pediatrik

Shërbimi i laboratorëve (klinik-biokimik, mikrobiologjik, imunologjik, anatomopatologjik, gjenetik mjekësor, laboratori mjekësisë nukleare)

Shërbimi imazherisë

Shërbimi fizioterapisë

Shërbimi statistikave

Shërbimi i pneumologjisë

Shërbimi i kirurgjisë torakale

Shërbimi i ftiziatrisë

Shërbimi i gjinekologjisë

Shërbimi i obstetrikës

Shërbimi i patologjisë së barrës

Shërbimi i neonatologjisë

Shërbimi i farmacisë

Shërbimi i konsultave ambulatore

Shërbimi i toksikologjisë

Shërbimi i koordinimit të urgjencave

Shërbimi i psikiatrisë (QSUT)

Kontrolli i infeksioneve spitalore

Ligji i spitaleve përcakton që “spitali ditor” do të ofrojë shërbim të ndihmës së parë mjekësore për trajtim dhe kurim 24-orësh.

Spitali në nivel bashkie (rrethi)

Shërbim urgjence

Shërbim i mjekësisë së përgjithshme

Shërbim i kirurgjisë së përgjithshme

Shërbim i pediatrisë

Shërbimi i obstetri-gjinekologjisë

Shërbimi i anestezi-reanimacionit

Shërbimi i radiologjisë

Shërbimi i laboratorëve klinikë-biokimikë

Shërbimi farmacisë

Spitali në nivel qarku (rajonal)

Shërbim urgjence

Shërbim i mjekësisë së përgjithshme

Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme + ortopedi Traumatologji + urologji

Shërbimi i pediatrisë

Shërbimi i obstetri-gjinekologjisë

Shërbimi i anestezi-reanimacionit

Shërbimi i radiologjisë

Shërbimi i fizioterapisë

Shërbimi i laboratorëve klinikë-biokimikë dhe mikrobiologjikë

Shërbimi i anatomisë dhe histologjisë patologjike

Shërbimi i hemodializës

Shërbimi i farmacisë

Klinika e ORL-së

Klinika e okulistikës

Klinika e sëmundjeve infektive

Klinika dermatologjike

Kabineti i onkologjisë

Kabineti i riaftësimit

Kabineti i dietologjisë

Lista e institucioneve që nuk do të financohen nga ISKSH-ja

Spitali psikiatrik në Vlorë

Spitali psikiatrik në Elbasan

Shërbime të shëndetit mendor në rrethe

Shërbimi i psikiatrisë në Shkodër

Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve

Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit

Ofiçina elektro-mjekësore

Njësia e transportit me helikopter

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›